Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me dënimin penal të gjyqtares Irena Gjoka në Greqi, duke deklaruar se është vërtetuar ajo që, sipas tij, opozita ka denoncuar publikisht që në mars të vitit 2024.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se vendimi penal për falsifikim vizash në shtetin grek është autentik dhe ka marrë formë të prerë, ndërsa Gjoka e ka fshehur këtë fakt në proceset e vetëdeklarimit. Ai theksoi se gjyqtarja është dënuar me burg, dënim që më pas është konvertuar në gjobë, si dhe është dëbuar dy herë nga Greqia dhe zona Shengen, në vitin 2002.
Sipas Berishës, Gjoka ka qenë plotësisht në dijeni të këtyre vendimeve, madje ka autorizuar avokatë për t’i kundërshtuar dëbimet në gjykatat administrative greke. Ai shtoi se këto fakte nuk janë deklaruar pranë institucioneve shqiptare, siç kërkohej nga ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Berisha akuzoi gjithashtu se, sipas tij, sjelljet e paligjshme kanë vijuar edhe gjatë ushtrimit të detyrës së Gjokës si gjyqtare në Krimet e Rënda dhe më pas në GJKKO, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin.
Deklaratat vijnë në një kohë kur çështja e gjyqtares Irena Gjoka ka rikthyer debatin publik mbi integritetin e sistemit të drejtësisë dhe përgjegjësinë e institucioneve për verifikimin e figurës së magjistratëve.
