Policia Rrugore e Vlorës ka nisur monitorimin me dron të respektimit të semaforëve të rinj të vendosur në qytet.
Gjatë ditës së sotme, në prani edhe të shefes së qarkullimit rrugor, droni është ngritur mbi rrugën Transballkanike, ku është vëzhguar nga ajri lëvizja e automjeteve dhe respektimi i sinjalistikës rrugore.
Sipas policisë, janë konstatuar dhjetëra drejtues mjetesh që nuk kanë respektuar semaforin dhe janë futur me dritë të kuqe, duke rrezikuar këmbësorët dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Për shkelësit janë vendosur masa administrative, ndërsa kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.
Policia Rrugore u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë më shumë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim shmangien e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.
