Reporterët Pa Kufij reaguan ndaj kryeministrit Edi Rama pas deklaratave të tij mbi lirinë e medias në Shqipëri, ku ai iu referua një raporti të krijuar nga një startup i inteligjencës artificiale, sipas të cilit opozita kishte dominim më të madh në hapësirën mediatike.
Organizata ndërkombëtare i kërkoi kreut të qeverisë që energjitë të fokusohen te problemet konkrete të lirisë së shtypit në vend, duke theksuar se mbetet e hapur për dialog dhe bashkëpunim me institucionet shqiptare.
“Kryeministër Edi Rama, në vend që të përpiqeni më kot të provoni se #RSFIndex gabon, ju propozojmë ta përdorni këtë energji për të zgjidhur problemet kronike të lirisë së shtypit në Shqipëri. Së bashku me partnerët e saj lokalë, RSF është e gatshme për një dialog mbi propozimet e saj”, shkroi organizata në reagimin e saj publik.
Nga ana e tij, Rama reagoi menjëherë duke e konsideruar befasues qëndrimin e organizatës ndaj të dhënave të publikuara. Kryeministri sqaroi se synimi i tij nuk ishte të kundërshtonte Reporterët Pa Kufij, por të sillte në vëmendje fakte dhe analiza që, sipas tij, tregojnë se Shqipëria nuk mund të cilësohet si një vend me “media të kapura”.
“Më kot? Uau. Ky është një reagim çuditërisht shpërfillës ndaj të dhënave që duken si të besueshme ashtu edhe shumë relevante”, shkroi Rama në reagimin e tij.
Ai theksoi se Shqipëria, sipas analizave që citon, mbetet larg pragut që zakonisht lidhet me sistemet mediatike të kapura, ndonëse pranoi se ekzistojnë ende sfida reale për përmirësimin e standardeve të medias dhe mbrojtjen e gazetarëve.
Kryeministri shprehu gjithashtu gatishmëri për një takim dhe dialog me organizatën, duke kërkuar përcaktimin e një date dhe vendi për diskutim.
“Mjafton të sugjeroni një datë dhe një vend, dhe do të marr pjesë me kënaqësi”, deklaroi Rama, duke shtuar se kërkimi i së vërtetës duhet të mbetet prioritet mbi çdo paragjykim apo përfundim të nxituar.
Ai propozoi gjithashtu që Reporterët Pa Kufij të bashkëpunojnë me ekipin që ka zhvilluar mjetin e inteligjencës artificiale të përdorur në analizën e publikuar, me synimin për të forcuar metodologjinë e vlerësimit të lirisë së medias.
