Mbledhja e së premtes në Komisionin e Mandateve dhe Imunitetit pritet të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe fshehtësie, pasi SPAK ka kërkuar zyrtarisht që seanca të jetë me dyer të mbyllura, duke e cilësuar materialin hetimor si “sekret hetimor”.
Lajmi u bë i ditur nga gazetarja Klodiana Lala, e cila në një intervistë për News 24 zbuloi detaje të reja për dosjen që ka tronditur maxhorancën dhe që mund të ketë zhvillime të forta penale në vijim.
Tre prokurorë në Kuvend, Altin Dumani në krye
Sipas Lalës, në mbledhjen e Komisionit do të jenë të pranishëm tre prokurorë të SPAK, me në krye Altin Dumanin, ndërsa Belinda Balluku do të paraqitet e shoqëruar nga avokatët e saj për të bërë mbrojtjen.
Mbledhja pritet të jetë e gjatë dhe e tensionuar, pasi Komisioni përbëhet nga 10 anëtarë, ndërsa SPAK ka dorëzuar një volum të madh provash shtesë.
Përgjime, celularë dhe emra që ende s’janë publikuar
Gazetarja Lala zbuloi se SPAK, përveç kërkesës për heqjen e imunitetit, ka dorëzuar në Kuvend:
- përgjime telefonike,
- komunikime elektronike,
- akte ekspertimi të celularëve të sekuestruar,
- dëshmi dhe marrje në pyetje,
- materiale që lidhen jo vetëm me Evis Berberin, por edhe me persona të tjerë ende jashtë statusit të të pandehurit.
Sipas saj, disa nga celularët e sekuestruar i përkasin personave të afërt dhe të besuar të Ballukut, çka rrit dyshimet se hetimi mund të shtrihet edhe më tej.
“SPAK e konsideron dosjen top sekret sepse rrjedhja e informacionit mund të favorizojë persona të tjerë që nesër mund të merren të pandehur”, tha Lala.
Rreziku i manipulimit të provave dhe intimidimit të dëshmitarëve
SPAK insiston në arrestimin e Ballukut me argumentin se ekziston:
- rrezik për prishjen e provave,
- rrezik për intimidimin e dëshmitarëve,
- dhe mundësia e vijimit të veprave penale.
Këto arsye e kanë shtyrë Prokurorinë të kërkojë një masë sigurie më të rëndë, duke theksuar urgjencën e vendimmarrjes nga Kuvendi.
Manovra politike për ta shtyrë çështjen?
Sipas Lalës, mazhoranca socialiste mund të tentojë ta shtyjë vendimmarrjen deri pas 22 janarit, duke përdorur afatet procedurale dhe kalendarin parlamentar.
“Nëse zvarritet procesi dhe tejkalohet afati 3-mujor, kërkesa për heqjen e imunitetit konsiderohet e pushuar”, paralajmëroi ajo.
Beteja e Ramës është për veten e tij
Në analizën e saj, Klodiana Lala theksoi se Edi Rama po mbron veten, jo vetëm Ballukun. Sipas saj, precedenti i pezullimit nga detyra i një ministri mund të hapë rrugë për diskutime shumë më të thella kushtetuese.
“Nëse mbetet në fuqi precedenti i Ballukut, lind pyetja: a është i pezullueshëm edhe kryeministri?”, tha Lala.
Sipas saj, nëse Rama refuzon dorëzimin e Ballukut, atëherë do të hapet një përplasje frontale mes maxhorancës dhe SPAK, duke rrëzuar narrativën politike se “drejtësinë e re e solli kjo qeveri”.
