“S’do ta gjejmë më atë shans…”/ Të fshehtat që tregoi SKY për Ervis Martinaj, Arben Ndokën, vëllezërit Duka e Bami

Data

Hakmarrja, paratë, droga, miqësitë e armiqësitë e përbashkëta ndodh që lidhin aleanca.

Krimi tregon dhëmbët në mënyrën më të ashpër e ndonjëherë edhe më të pabesë.

Ndërton aleanca që funksionojnë mbi tradhti. Me njerëz që shesin njeri-tjetrin. Me njerëz që arrijnë të drejtojnë veprime edhe nga burgu i sigurisë së lartë. Me njerëz që pranojnë të vrasin armikun dikujt vetëm sepse ka mik armikun e tij. Me njerëz që ndonëse dikush është vrarë për punët e tij, nuk e ka për gjë ta shajë edhe pas vdekjes. Pa kod nderi e pa moral.

Intriga që zbulohen nga bisedat që dhjetëra persona kanë zhvilluar përmes aplikacionit SKY, ku kuptojmë se disa njerëz jetojnë vetëm për të vrarë dhe janë gati të paguajnë miliona euro që dikush të mos jetojë më. Gjithçka u zbulua në operacionin e fundit të SPAK, që zgjati 20 orë dhe u shtri brenda dhe jashtë Shqipërisë. U kërkua arrestimi i 51 personave dhe u zbulua bashkëpunimi i 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak e Rrëshen.

Por si nisi ky hetim i SPAK?

Aleks Ndreka (Deda), i njohur si “Leksi i Druve”, është mes personave të shpallur në kërkim nga SPAK gjatë operacionit të koduar “Metamorfoza”, ku u lëshuan 15 urdhër-arreste.  “Leksi i Druve” ka pasur përplasje të forta me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Arben Ndoka. Sipas dosjes hetimore të SPAK, Aleks Dedën kanë tentuar që ta vrisnin me dron.

Ndreka ka bërë kallëzim në SPAK më 8 mars 2022 dhe më 15 mars është regjistruar procedim penal. Më 18 mars 2022, Prokuroria e Lezhës ka regjistruar procedim penal për vrasje me paramendim, pasi më 7 mars 2022, në orën 13:45, në Lezhë, persona të paidentifikuar që po lëviznin me një “Audi A8”, kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Aleks Ndrekës. Prokuroria e Lezhës ka shpallur moskompetencë dhe i ka kaluar aktet në SPAK, që janë pranuar më 23 mars.

Më 19 shkurt 2024, hetuesit e BKH kanë referuar informacion se në kuadër të bashkëpunimit me Europol, kanë administruar informacion lidhur me disa shtetas shqiptarë dhe të huaj që bashkëpunojnë mes tyre në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike dhe krimeve ndaj jetës. Informacioni i dërguar bën fjalë për trafikimin e sasive të konsiderueshme të lëndëve narkotike në vendet e BE, si dhe vendet e Amerikës së Jugut. Informacioni i BKH bën fjalë në lidhje me kontraktimin e personave për kryerjen e veprës penale të vrasjes në territorin e Shqipërisë. Disa anëtarë të këtij grupi kriminal, të dyshuar si funksionarë publik, janë të angazhuar njëkohësisht në aktivitete të lidhura me korrupsionin. Këta anëtarë ndajnë në mënyrë të paligjshme me kontaktet e tyre, informacione të siguruara për shkak të detyrës që ushtrojnë.

Në kuadër të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.9 të vitit 2023 të Prokurorisë së Posaçme, mes të tjerash kanë identifikuar dhe analizuar përdoruesit e SKY. Nga veprimet hetimore janë evidentuar edhe përdorues të tjerë të SKY që dyshohet se janë përfshirë në vepra të rënda penale dhe trafik narkotikësh. Më 30 qershor 2023, SPAK i ka përcjellë një shkresë Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkon ndihmë juridike drejtuar autoriteteve gjyqësore franceze, ku kërkohen të gjitha komunikimet e kryera në SKY nga disa përdorues. Më 23 nëntor 2023, Eurojust ka përcjellë me anë të postës elektronike zyrtare përgjigjet dhe të dhënat e kërkuara nga autoritet gjyqësore franceze.

SPAK ka bashkuar 3 procedime në një të vetëm dhe më 7 maj 2024 janë regjistruar emrat e 51 personave në hetim.

Ndoka – Martinaj – Shullazi – Avdyli bashkë për të vrarë Durim Bamin

Gjithçka nis një mëngjes dhjetori të vitit 2017 në Lezhë. Plumbat e kallashnikovit i marrin jetën Aleksandër Ndokës, brenda makinës, kur sapo kishte parkuar para shtëpisë. Anëtari i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe kryeinspektori i IKMT-së për Veriun, u qëllua me breshëri  në makinën e tij “Mitsubishi”. Aleksandri ishte vëllai i Arben Ndokës, në atë kohë deputet i Partisë Socialiste. Për shumë kohë ai i besoi drejtësisë. Por nga ana tjetër nisi hetimet vetë për të zbuluar autorët.

E atëherë kur nuk ishte më deputet, për shkak se e humbi mandatin, Arben Ndoka nisi të punojë vetëm në këtë drejtim. Të zbulojë se kush i kishte vrarë vëllain. I bindur se pas kësaj ngjarje ishte Durim Bami, një personazh që drejtonte grupin në zonën e Niklës në Fushë-Krujë, Ndoka nis bashkëpunimin me grupe të tjera për eliminimin e tij.

Në janar të vitit 2020 zhvillohet një bisedë në SKY mes Marklen Hakës dhe Emiljano Shullazit, që edhe pse ndodhet në burg, përdor një celular, madje ka edhe SKY. Markleni e informon Emiljanon për lëvizjet e Durim Bamit me një makinë të blinduar “Range Rover”.

Shullazi – Marklen Haka

Emiljano Shullazi: Kape… mos ja zgjat, se jam këtu dhe robt që janë jashtë, me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardhë në Nikël dhe me mbaru punë. Po të jem vetë e mbaroj aty te dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg, Rraja (Redjan Rraja), thotë që Duri është më i fuqishmi aty. I bën Reklamë.

Ai Duri i ka çuar haber atij Nokës (Arben Ndokës) që të nxjerr kë të duash përveç Valterit dhe më jep garanci që e mbyllim bashkë.

Si t’ja bëjmë me e kap k… me e rrjep me e torturu, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan.

Ndërsa në muajin mars të vitit 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Arben Ndokën, duke i dhënë informacione për lëvizjet e Durim Bamit, por pa i thënë që këto informacione i merrte nga Marklen Haka.

Shullazi – Arben Ndoka

Emiljano Shullazi: Po më thotë tani që rri aty te Oxhaku shumë dhe del edhe pa blind te lokal “A…” dhe me shumë se 20 minuta nuk rri. Rri me çunin e xhajës së vet, atë Koçin (Gentian Koçi) dhe Ervin Kodrën nga Tapiza. Është fol me nja dy veta dhe ishalla e bëjnë (e vrasin). Don terezi ai m… se del një ditë dhe rri gjithë javën pa dalë. Shohim mos po i vjen ora. Unë jam tek cili variant të dali më para, vetëm të iki. Se do dalin të gjitha pastaj, kush ka dhënë e kush ka gjuarjru. I flet Valteri të gjitha pastaj sa t’i thuash e ke radhën ti.

Bisedat vijojnë edhe me persona të tjerë që kanë bashkëpunuar me qëllim vrasjen e Durim Bamit, por në asnjë rast nuk arrijnë ta realizojnë. Në një moment, në gusht të vitit 2020, Arben Ndoka bisedon me Ervis Martinaj, për faktin që Shullazin e kishin izoluar në regjimin e posaçëm “41 Bis”.

Ndoka – Martinaj

Ervis Martinaj: Milin e qitën jashtë loje, s’na mbaron punë dot më. Kush ja boni sipas teje? E çun te bizi 1 vit. S’i ke pa lajmet?

Arben Ndoka: Unë fola me Gentin (Gentian Bejtja). Na duhet një makinë. Shiko nëse mundesh sa më shpejt më mir.

Ervis Martinaj: Po katerfererëshin tënd që ma ke dhan mu, ku do me ta sjellë? Po kam edhe Audi. Po presim ca ditë për atë. Fshihen ca kamera të qytetit që janë marrë, kamerat e bashkisë. Po çove ata njerëzit e tu thua? Kshu bëhet. Ndryshe ata s’kanë by…. Mllef të madh kanë ata, kjo ka rëndësi.

Nga çfarë rezulton gjatë hetimeve të SPAK, Arben Ndoka është i angazhuar për të vrarë Durim Bamin, pasi dyshon se është autori kryesor dhe organizator i vrasjes së vëllait të tij. Gjatë komunikimeve në SKY me persona të tjerë, Ndoka shprehet se është i interesuar që t’i vrasë vëllezërit Durim e Valter Bami, por edhe kushdo që të jetë në prezencën e tyre. Për këtë qëllim ai bashkëpunon me familjarë dhe miq.

Një ndër ta është edhe Arian Tuku, bashkëshorti i vajzës së tij, i cili e mbështet duke i krijuar kontakte me persona të tjerë që të kryejë vrasjen, e ndihmon ekonomikisht dhe me informacione për ta lokalizuar Durim Bamin. Nga ana tjetër, Tuku është i gatshëm që të transferojë para nga llogaria e tij bankare në Itali drejt një banke në Shqipëri që t’i përdorin për këtë qëllim. Ndoka bashkëpunon gjithashtu edhe me nipin, Samuelin, i cili është djali i vëllait të vrarë. Me porosi të xhaxhait të tij, Samuel Ndoka mban kontakte me Gentian Bejtjan dhe Naim Stafukën, të cilët i kanë treguar vendet që frekuenton Durim Bami, automjetet që përdor dhe oraret kur lëviz. Samueli po ashtu mban kontakte edhe me Aldo Avdylin dhe Arben Mërkurin, persona të kontraktuar për të kryer vrasjen.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related