Për Friedrich Merz janë javë të mbushura me shumë gjëra të reja. Merzi sapo përfundoi vizitën e tij të parë në Zyrën Ovale. “E suksesshme”, tha stafi i kancelarit. Samiti në Kanada shihet si një vazhdim i natyrshëm i udhëtimit të tij në Uashington, sipas burimeve qeveritare
Megjithatë samitet e G7-ës (15..06-18.06) herë pas here sjellin surpriza. Ish-kancelarja Angela Merkel, e përjetoi me dhimbje këtë në samitin e G7-ës të vitit 2018 në Kebek të Kanadasë. Ky ishte momenti kur u bë fotografia ikonike e kancelares gjermane rrethuar nga krerë të tjerë qeverish, mbështetur në një tavolinë dhe përkulur drejt Donald Trump, i cili po kryqëzonte krahët me kokëfortësi. Në fund, Trumpi, i ofenduar, tërhoqi nënshkrimin e tij nga dokumenti përfundimtar – nga ajri, nga Air Force One, nëpërmjet një postimi në Twitter.
Merz për Trump: “Duhet të flasim me të, jo për të”
Kjo është një nga arsyet pse zyra e kancelarit dhe Merzi janë të përgatitur për çdo gjë. Vizita në Zyrën Ovale ishte vetëm hapi i parë, overtura. Tani vjen prova se si funksionon e gjitha në një situatë ekipi me gjashtë krerë shtetesh dhe qeverish dhe një Trump të paparashikueshëm në anën tjetër, sipas Berlinit. Por po bëhet e qartë edhe në Berlinin zyrtar: Nuk duhet të jetë një samit gjashtë plus një. Multilateralisti Merz sapo ka zbuluar një recetë për presidentin e paqëndrueshëm të SHBA-së: Duhet të ndalojmë së foluri për Donald Trump me grimasa dhe gisht tregues të ngritur. “Duhet të flasim me të, jo për të”, rekomandon Merz, pjesëmarrës i i ri në samit.
Klubi i vendeve të mëdha të industrializuara feston 50-vjetorin këtë vit, po atmosfera nuk është për festë. Gaza, mosmarrëveshja tregtare – dhe, mbi të gjitha, lufta në Ukrainë. Merzi po udhëton drejt Rocky Mountains me një detyrë të: ta mbajë SHBA-në e lëkundur në anën e botës së bazuar në rregulla. “Po përpiqem të bëj gjithçka që amerikanët të qëndrojnë në anën tonë”, tha Merz së fundmi. Nuk varet tërësisht nga ai. Por pjesërisht po.
