Takimet e zhvilluara paralelisht nga Sali Berisha dhe Ervin Salianji janë kthyer në një përballje indirekte, por domethënëse, këtë herë jo në sallë, por në rrjetet sociale. Ndërsa Berisha mblodhi mbështetësit e tij në Kombinat, Salianji zhvilloi një takim me demokratët në Lezhë, të dyja në të njëjtën orë, 18:00.
Megjithëse fizikisht larg njëri-tjetrit, dy figurat kryesore të PD-së u “ndeshën” online, ku shifrat e shikueshmërisë treguan një diferencë të theksuar. Transmetimi i fjalimit të Berishës regjistroi rreth 168 shikime, ndërsa takimi i Salianjit në Lezhë u ndoq nga rreth 2.7 mijë persona.
Kjo diferencë e madhe në audiencë është interpretuar si një sinjal i qartë për ndryshimin e interesit dhe mbështetjes brenda bazës demokrate, veçanërisht në rrjetet sociale. Për shumë analistë, shifrat pasqyrojnë jo vetëm momentin politik të secilit, por edhe etjen e demokratëve për një qasje të re dhe një frymë ndryshe brenda opozitës.
Përballja virtuale e kësaj të diele nuk prodhoi fitues zyrtarë, por mesazhi i shifrave ishte i qartë: në betejën e audiencës online, Salianji doli dukshëm përpara Berishës, duke forcuar perceptimin se brenda PD-së po zhvillohet një garë reale për vëmendjen, mbështetjen dhe drejtimin e së ardhmes së partisë.
