Në Spitalin Onkologjik të Tiranës, ku çdo ditë qindra pacientë nga e gjithë Shqipëria përballen me trajtime të gjata dhe sfiduese, Fondacioni Mane ka realizuar një ndërhyrje domethënëse që përmirëson ndjeshëm kushtet e trajtimit dhe dinjitetin e kujdesit shëndetësor.
Falë dhurimit të 30 poltronëve të rinj modernë, si edhe zgjerimit dhe përmirësimit të ambienteve, është rritur ndjeshëm kapaciteti i terapisë ditore. Ndërhyrja ka mundësuar krijimin e një hapësire të re për marrjen e kimioterapisë, e pajisur sipas standardeve bashkëkohore dhe plotësisht funksionale për pacientët.
Me këto përmirësime, Spitali Onkologjik tashmë ka mundësi të trajtojë të gjithë pacientët ditorë në kushte dinjitoze, duke lehtësuar ndjeshëm procesin e trajtimit dhe pritjen.
Vizita e Samir Manes dhe angazhimi për zgjerim kombëtar
Themeluesi i Fondacionit Mane, Samir Mane, vizitoi personalisht ambientet e rinovuara, duke ndjekur nga afër ndërhyrjen dhe efektet e saj.
“Pasi u informuam mbi nevojën urgjente, Fondacioni Mane reagoi menjëherë, duke siguruar poltronët në kohë rekord dhe duke kontribuar edhe në rinovimin e hapësirave, që pacientët të trajtohen në kushte sa më njerëzore,” u shpreh Mane.
Ai premtoi se ky model ndërhyrjeje do të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit:
“Jemi të gatshëm të krijojmë kushte dinjitoze edhe në spitalet e rretheve, në mënyrë që pacientët ta marrin trajtimin e kimioterapisë sa më afër shtëpisë së tyre.”
Falënderim nga drejtuesit e Spitalit Onkologjik
Drejtori Mjekësor i Spitalit Onkologjik, Prof. Dr. Helidon Nina, falënderoi Fondacionin Mane për mbështetjen e dhënë, duke theksuar ndikimin konkret të ndërhyrjes:
“Sot ndryshimi është real dhe funksional. Kushtet janë optimale për të trajtuar rreth 100 pacientë në ditë, sipas një planifikimi që u shërben drejtpërdrejt vetë pacientëve.”
Angazhim për shëndetin dhe komunitetin
Ky investim është pjesë e misionit afatgjatë të Fondacionit Mane për të mbështetur shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit, duke ndërhyrë aty ku nevoja është më e madhe dhe ku ndikimi është i menjëhershëm në jetën e njerëzve.
