Prokuroria e Posaçme për të shkuar te pasuritë e fshehura të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit po lëviz çdo gur. Tashmë ata e kanë gjetur një nga çelësat që hap dyert e burgut për çiftin më të akuzuar për korrupsion. Hetimet e SPAK janë shtrirë deri te oligarkët. Ka shumë çështje sekrete ku prokurorët po hetojnë, por një prej tyre është zbuluar vetë nga ish-presidenti Ilir Meta. Para disa javësh Meta u thirr në SPAK për të dhënë llogari për dosjet e tij korruptive. Në studion televizive, ish-presidenti zbuloi se për aferat e tij po hetohet edhe oligarku Samir Mane. Meta tha se është pyetur nga SPAK, nëse ka ndërhyrë pranë kreut të AKEP, Pirro Xhixha, për llogari të Manes, i cili ka qenë një prej pronarëve të kompanisë telefonike ‘PLUS’.
Sipas Metës, SPAK ka kërkuar që të gjejë lidhje mes Manes, dhe tij, për shkak se biznesmeni ka blerë një vilë në Qerret, nga familja e tyre, e cila më pas i është shitur gazetarit Baton Haxhiu. Për këtë çështje u thirr në SPAK për të dhënë llogari edhe analisti Haxhiu. “SPAK është një organizatë karagjoze, do me patjetër të më krijojë një lidhje me mikun tuaj, të dashur, Samir Mane, I kërkoj falje që po i përmend emrin, Unë nuk e kam fshehur raportin miqësor që kam pasur me të, do të krijojë lidhjen se çfarë ka ndodhur me ato 300 mijë euro që është blerë shtëpia nga ana e Samirit, dhe më pas ta ka shitur ty. Unë nuk e di se pse është deklaruar në atë vit e jo në një vit tjetër. Thonë se nga një përgjim, që del se unë kam ndikuar te Pirro Xhixha, për të favorizuar Samirin për këto te telefonisë
Është rasti i Plus që 10 apo 15 pronarë shqiptarë ngrinin pretendimin se kreu i AKEP po i dëmtonte. Nuk ka qenë vetëm Samiri më takimin që unë kam zhvilluar, ka qenë Armando Duka, kanë qenë pafund pronarë. Do të nxjerrë një lidhje për një gjë që nuk ekziston”, u shpreh Meta pak kohë më parë. Vila në fjalë është blerë për shifrën e 300 mijë eurove, dhe sipas Metës, prokuroria po kërkon nëse shitja e saj ka lidhje me çështjen e kompanisë telefonike, ku ai ka pasur një takim me biznesmenin, në cilësinë e ministrit të ekonomisë.
Të tjerë oligarkë në skanerin e SPAK
Përveç Samir Manes, gazeta “SOT” raportoi pak ditë më parë se në filtrin e SPAK është një tjetër oligark. Agjentët specialë kanë zbarkuar te zyrat e këtij biznesmeni të fuqishëm që dyshohet se mbulon pasuritë e Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Ky oligark, njësoj si Mane është një nga përfituesit e mëdhenj të parave dhe pasurive publike të dhëna nga pushtete të ndryshme, si nga Rama, por edhe nga Berisha. Gazeta nuk po e përmend emrin e tij, pasi çështja është nën hetim, por fakti është se dokumentacionet, kompjuterët dhe materiale të tjera komprometuese janë sekuestruar nga SPAK si prova për të zbërthyer aferat e ish-presidentit. Dokumentet tregojnë se ky oligark mbulon pasuritë me vlerë miliona euro të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të paktën që nga viti 2007.
Burimi i këtyre pasurive dyshohet se janë paratë që çifti Meta-Kryemadhi kanë siguruar nga aferat korruptive gjatë periudhave kur kanë qenë në pushtet, 2000-2002, 2009-2013 dhe 2013-2017. Monika Kryemadhi dhe nëna e saj Fatime Kryemadhi rezultojnë se kanë disa pasuri në bashkëpronësi me kompaninë e ndërtimit të këtij oligarku, pasuri të cilat zonja Kryemadhi nuk i ka deklaruar në ILDKPKI, duke shkelur detyrimin ligjor.
