Një nga aktivistët që mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar mbrëmjen e së shtunës përpara Kryeministrisë në Tiranë u bëri thirrje pjesëmarrësve të ruajnë karakterin qytetar të tubimit dhe të shmangin çdo përpjekje për politizimin e protestës.
Nga podiumi i ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ai theksoi se lëvizja nuk përfaqëson interesa partiake, por synon të mbetet një reagim qytetar i pavarur ndaj shqetësimeve të ngritura nga pjesëmarrësit.
Sipas tij, organizatorët kanë evidentuar tentativa të ndryshme për të përfshirë aktivistë dhe militantë politikë në protestë, ndërsa kërkoi që podiumi t’u lihet qytetarëve, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.
“Ne nuk jemi këtu për interesat apo karriget e askujt. Kjo është një protestë qytetare dhe duhet të mbetet e tillë. Fjalën duhet ta kenë qytetarët dhe figurat publike që përfaqësojnë interesin e përbashkët”, u shpreh ai.
Aktivisti u bëri gjithashtu thirrje protestuesve që pas përfundimit të tubimit të largohen në mënyrë paqësore dhe të shmangin çdo veprim që mund të interpretohet si provokim apo përplasje politike.
Ai theksoi se forca e protestës qëndron te qytetaria dhe kultura demokratike e pjesëmarrësve, duke kërkuar që kjo të reflektohet në çdo moment të organizimit.
“Të tregojmë se dimë të protestojmë me qytetari dhe respekt. Kjo është mënyra më e mirë për të përcjellë mesazhin tonë dhe për të ruajtur dinjitetin e kësaj lëvizjeje”, deklaroi ai mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Protesta para Kryeministrisë vijoi përgjatë mbrëmjes me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e çdo forme tensioni.
