Detaje të reja kanë dalë nga hetimet paraprake për zjarrin që përfshiu një kompleks banimi në zonën “Farmacia 10” në Tiranë.
Sipas Policisë, zjarri dyshohet se ka nisur në ambientin e pasmë të një marketi, ku ishin grumbulluar mbeturina, ndërsa menaxhmenti nuk kishte marrë masat e nevojshme për pastrimin e tyre.
Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar katër persona: administratori i kompleksit, menaxherja e marketit, inxhinieri drejtues i punimeve dhe administratori i subjektit që ka realizuar fasadën.
Gjithashtu, hetim penal ka nisur edhe për dy punonjëse të marketit, si dhe për ndërtuesin e kompleksit, Armand Lilo, dhe kontraktorin e ndërtimit.
Autoritetet dyshojnë se administratori i kompleksit nuk kishte kryer kontrollet e nevojshme për sistemin e mbrojtjes nga zjarri dhe evakuimit, duke rënduar më tej pasojat e incidentit.
Si pasojë e flakëve janë dëmtuar 11 persona, përfshirë banorë dhe punonjës zjarrfikës, por fatmirësisht të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar dëmet materiale dhe për të dokumentuar plotësisht përgjegjësitë penale në bashkëpunim me Prokurorinë.
