Salianji sfidon Berishën para Kuvendit të PD: Demokratët duhet të kenë të drejtën të zgjedhin drejtuesit që i bëjnë fitues

Data

Një ditë para mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ish-deputeti Ervin Salianji zhvilloi një takim me mbështetës dhe demokratë pranë Sheshit “Nënë Tereza” në Tiranë, ku përsëriti thirrjen për më shumë demokraci të brendshme dhe hapje të partisë.

Takimi, ku morën pjesë qindra demokratë dhe figura të njohura të PD-së, nisi me Himnin Kombëtar dhe u shoqërua me diskutime mbi situatën aktuale të opozitës dhe sfidat e saj politike.

Në fjalën përmbyllëse, Salianji deklaroi se lëvizja e nisur prej tij synon forcimin e Partisë Demokratike dhe rikthimin e saj si një alternativë fituese përballë qeverisë.

“PD ka humbur shumë beteja gjatë këtyre viteve, por humbja më e madhe ka qenë largimi nga standardet që e bënë forcën më të madhe politike në vend. Sot shumë demokratë janë përjashtuar jo vetëm nga vendimmarrja, por edhe nga mundësia për të dhënë kontributin e tyre”, u shpreh ai.

Salianji theksoi se demokracia e brendshme duhet të bazohet në garë, debat dhe llogaridhënie, duke shtuar se çdo anëtar i Partisë Demokratike duhet të ketë të drejtën të zgjedhë drejtuesin që beson se mund ta bëjë partinë fituese.

Sipas tij, shumë profesionistë dhe kontribuues të djathtë nuk po gjejnë hapësira për t’u angazhuar në strukturat aktuale të partisë, ndërsa përjashtimi i zërave kritikë dëmton potencialin e opozitës.

“Ne do të vazhdojmë pa u ndalur deri sa ta përmirësojmë Partinë Demokratike. Nuk mund të pranojmë përjashtimin e demokratëve që përballen çdo ditë me regjimin”, deklaroi Salianji.

Takimi u zhvillua në prag të Kuvendit Kombëtar të PD-së, ku priten ndryshime statutore dhe zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar, një proces që konsiderohet vendimtar për drejtimin e ardhshëm të forcës më të madhe opozitare në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related