Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar kritikisht pas protestës së opozitës në Tiranë, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e saj.
Në një reagim publik, Salianji u shpreh se lidershipi i opozitës kishte premtuar rrëzimin e kryeministrit Edi Rama, por sipas tij, protesta nuk arriti këtë objektiv.
“Si gjithmonë lidershipi premtoi rrëzimin e Ramës, por prodhuan vetëm një xhiro në bulevard. Kështu jo vetëm që nuk rrëzohet Edi Rama, por në fakt po e mbahet në këmbë”, deklaroi ai.
Salianji theksoi se përgjegjësia për korrupsionin bie mbi qeverinë dhe jo mbi qytetarët apo bizneset, duke kritikuar mënyrën e organizimit të protestës.
Reagimi i tij vjen në një moment kur opozita ka paralajmëruar vijimin e aksionit politik, ndërsa brenda saj shfaqen edhe qëndrime kritike mbi strategjinë e ndjekur.
