Përplasjet brenda Partisë Demokratike vijojnë të thellohen, pasi Ervin Salianji reagoi publikisht ndaj deklaratave të Sali Berishës, i cili u shpreh se Salianji “nuk ka asnjë lidhje me PD”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Salianji theksoi se Partia Demokratike nuk është pronë private dhe nuk mund të përdoret si instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ai u shpreh se lidhja me PD-në nuk matet me “vula apo deklarata”, por me kontribut, përballje dhe qëndrime politike.
“Partia Demokratike është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin dhe lirinë. Askush nuk mund ta përjashtojë vullnetin e demokratëve për ndryshim,” shkruan Salianji.
Ai shtoi se nuk ka nevojë të provojë lidhjen e tij me PD-në, duke theksuar se kontributi dhe betejat e tij janë publike. Sipas tij, qytetarët sot nuk janë të interesuar për përjashtime apo përplasje të brendshme, por për një opozitë që frymëzon dhe fiton.
Salianji paralajmëroi vijimin e takimeve me demokratët dhe prezantimin e një platforme konkrete për riorganizimin dhe forcimin e partisë. Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për një opozitë që bashkon dhe krijon alternativë qeverisëse, jo për një forcë politike të konsumuar nga konfliktet e brendshme.
“Qetësia, përgjegjësia dhe vendosmëria janë rruga ime. Përçarja nuk është alternativë. Fitorja është,” përfundon reagimi i tij.
