“Sali Enver, jemi gati kurdoherë”, Petro Koçi thumbon Berishë: PD është kthyer në monizëm berishian

Data

Deputeti socialist, Petro Koçi ka ironizuar gjendjen e Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të fundit, duke e cilësuar Sali Berishën si “fituesin e vetëm” nga një humbje katastrofike. Sipas Koçit, ish-kryeministri ka arritur të konsolidojë një grup parlamentar privat, të mbushur me besnikë, karrieristë e anonimë, jo për të fituar zgjedhjet, por për të monizuar opozitën dhe për ta kthyer PD-në në pronë personale. Me një gjuhë therëse, ai kujton rikthimin e dhunshëm të Berishës në krye të partisë dhe ironizon festën që sipas tij zhvillohet sot në PD: një parti që humbi thellë, por ku “lideri i përjetshëm” shpallet fitues. “PD i humbi thellë zgjedhjet, por Berisha doli i fituar nga zgjedhjet.

Ai konsolidoi një grup parlamentar privat. I mbushi listat e mbyllura me besnikë të tij, me karrieristë e arrivistë të vetëdeklaruar. Listat e hapura, me ndonjë përjashtim, i mbushi me anonimë që dëshmonin një strategji që nuk synonte fitoren e PD-së, por monizimin berishian të grupit parlamentar. Megjithëse ishte “larguar” në 2013 si pasojë e humbjes së radhës, ai iu rikthye karriges së kryetarit të PD-së, duke e flakur me përdhunë parimin e largimit nga drejtimi kur humbet zgjedhjet. U rikthye pasi i dhuroi historisë së PD-së sulmin e armatosur me varë e qysqi mbi selinë e saj, me qëllim shporrjen e pasardhësit të vet të përkohshëm, Lulzim Basha.

Do të mjaftonte vetëm ai aksion i armatosur që çdo njeri serioz në PD të distancohej prej tij. Situata rëndohet edhe më shumë pas zgjedhjeve të fundit. Nuk qe humbje, por katastrofë. Kjo u shoqërua edhe me skandalin e 6 milionë dollarëve. Çifti Berisha–Lacivita dështoi, ashtu si Xha Sulua me Xha Beqon, për të kapur shkun Ropi në SHBA. Por Trump nuk është shoku Ropi. Çuditërisht, në PD është hapur një garë se kush mbështet më fort Sali Berishën. Duket sikur PD ka triumfuar dhe figurat kryesore në parti po vrapojnë t’i vendosin kurorën e meritës Berishës. Asnjë thirrje për reflektim, analizë dhe reformim. Secili prej tyre po mendon shpërblimin e radhës prej sundimtarit putinist të partisë. Në PD ka festë. Ka entuziazëm dhe brohoritje: “Sali Enver, jemi gati kurdoherë.” PD i ka humbur zgjedhjet. Sali Berisha ka dalë i fituar”, shkruan ligjvënësi Koçi në rrjetet sociale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related