Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e sotme para Kryeministrisë, duke e cilësuar 20 shkurtin si një ditë historike.
Në një konferencë për shtyp, Berisha krahasoi simbolikën e 20 shkurtit 1991 me situatën aktuale politike, duke deklaruar se protesta e sotme do të shënojë, sipas tij, “pranverën e re” dhe fundin e mazhorancës në pushtet.
Ai ftoi qytetarët e të gjitha bindjeve politike që të bashkohen në tubim, pavarësisht dallimeve, për të shprehur pakënaqësinë e tyre dhe për të kërkuar ndryshim.
“Sot është dita që çdo qytetar të shprehë zemërimin e tij në sheshin e dinjitetit”, u shpreh Berisha, duke theksuar se protesta synon, sipas tij, përmbysjen e asaj që ai e cilëson si një qeverisje të dëmshme për vendin.
Protesta pritet të zhvillohet në orën 18:00 në Tiranë, mes masave të shtuara të sigurisë nga autoritetet.
