Kryetari i Partia Demokratike e Shqipërisë, Sali Berisha, deklaroi gjatë “Foltores” së zhvilluar para Kryeministrisë se raporti i IBAR-it është miratuar për arsye gjeopolitike, por sipas tij përmbajtja e dokumentit vendos kryeministrin Edi Rama “në rreth të kuq”.
Sipas Berishës, Bashkimi Evropian ka një interes strategjik për integrimin e rajonit, por raporti për Shqipërinë përmban kritika të forta ndaj qeverisë.
“Ka një faktor gjeopolitik dhe ky rajon do t’i përkasë BE-së. Por në përmbajtjen e tij, Edi Rama është në rreth të kuq. Nga alfa tek omega, ai dokument e demaskon për atë që është”, deklaroi Sali Berisha.
Kryedemokrati foli gjithashtu për referendumin e 23 majit në PD, duke e cilësuar atë si një “gjigant të vullnetit të njerëzve të lirë” dhe një mesazh ndaj kryeministrit.
“Referendumi i tha Edi Ramës se fundi yt është i shpejtë”, u shpreh ai.
Sali Berisha akuzoi mediat dhe qeverinë për përpjekje për të diskredituar procesin, ndërsa tha se demokratët mbrojtën “formën më sublime të demokracisë direkte”.
Në fjalën e tij, lideri i opozitës sulmoi gjithashtu kryeministrin për qëndrimet ndaj së kaluarës komuniste dhe deklaroi se opozita do të vijojë “kryengritjen paqësore” për rikthimin e votës së lirë.
“Flamuri ynë është flamuri i votës së lirë. Nuk ka sakrificë që nuk do bëjmë dhe as betejë që nuk do zhvillojmë për të”, tha Berisha.
Ai shtoi se Partia Demokratike e Shqipërisë do të vazhdojë aksionin politik dhe protestat, duke e konsideruar veten “shpresa më e fuqishme për kilometrin e fundit drejt Evropës”.
