Kryetari i Partia Demokratike, Sali Berisha, publikoi këtë të premte një investigim të ekspertit të inteligjencës artificiale Patrick Quirk, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj për mashtrim publik lidhur me projektin “Diella”.
Sipas Berishës, analiza teknike e ekspertit arrin në përfundimin se “Diella”, e prezantuar nga qeveria si ministre e inteligjencës artificiale, nuk përmban asnjë element real të AI-së dhe funksionon vetëm si një “avatar bosh”.
“Diella nuk ka absolutisht as edhe një qelizë të vetme të urtësisë artificiale. Zero. Është një avatar pa asnjë atribut për korrupsionin, pa asnjë ndërfaqe”, deklaroi Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.
Kreu i demokratëve tha se projekti ishte përdorur si propagandë politike dhe për të krijuar, sipas tij, një imazh të rremë modernizimi teknologjik.
Ai akuzoi drejtpërdrejt Edi Rama dhe Bajram Begaj se “përdhosën Kushtetutën” duke emëruar një sistem që, sipas tij, nuk kishte asnjë funksion real si inteligjencë artificiale.
“Ky është një krim i shëmtuar kushtetues. Një damkosje tjetër e imazhit të Shqipërisë në Europë dhe botë”, u shpreh Berisha.
Sipas investigimit të përmendur nga lideri i opozitës, sistemi “Diella” rezulton të jetë një aplikacion i thjeshtë vizual pa backend funksional të inteligjencës artificiale dhe pa integrim me sisteme reale të monitorimit të korrupsionit apo prokurimeve publike.
Projekti “Diella” u prezantua nga qeveria shqiptare në vitin 2025 si një iniciativë inovative për përdorimin e inteligjencës artificiale në administratë dhe luftën kundër korrupsionit, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe institucioneve europiane.
