Një investim i rëndësishëm në Lushnjë ka mbetur përgjysmë, duke shkaktuar pakënaqësi të madhe tek banorët e lagjes “18 Tetori”. Punimet për ndërtimin e rrugëve “Hysni Gorovelli” dhe “Athina Dhimitri”, të nisura në nëntor 2025, janë ndërprerë në fund të dhjetorit, duke lënë zonën në një gjendje problematike.
Sipas banorëve, gjatë punimeve janë shembur muret rrethuese të oborreve dhe janë hapur kanalizimet, por ndërprerja e projektit ka bërë që pusetat të mbeten të hapura, duke shkaktuar një erë të padurueshme dhe kushte të vështira jetese.
Investimi, me vlerë rreth 320 milionë lekë, ishte parashikuar të përfundonte brenda pesë muajve, por aktualisht situata mbetet pezull, mes ndërtimit të papërfunduar dhe dëmeve të shkaktuara.
Për këtë problem ka reaguar edhe anëtari i Këshillit Bashkiak, Klement Çela, i cili ka kërkuar nga autoritetet vendore rifillimin e menjëhershëm të punimeve, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt të financuar nga taksat e qytetarëve.
Nga ana tjetër, kryebashkiakja e Lushnjë, Eriselda Sefa, ka konfirmuar se ndërprerja e punimeve lidhet me mungesën e zgjidhjes teknike për shkarkimin e ujërave të zeza. Sipas saj, Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ende nuk ka përcaktuar kuotat e nevojshme për sistemin e kanalizimeve në këtë zonë.
Ndërkohë, banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, pasi situata jo vetëm që ka bllokuar investimin, por ka krijuar edhe probleme serioze për jetën e përditshme dhe shëndetin e komunitetit.
