Nuk ka më asnjë dilemë. Sali Berisha tashmë ka arritur të “rrëmbejë” vulën dhe logon e Partisë Demorkatike, ndërkohë që vajza e tij, Argita duket se ka marrë drejtimin e PD, sikundër e tregon protagonizimi i saj i shtuar. Vula e Partisë Demokratike i kaloi përfundimisht grupimit të udhëhequr nga Sali Berisha dhe Rithemelimi. Gjykata e Apelit dy ditë më parë la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë të gjyqtarit Agron Zhukri për të njohur si parti legjitime PD-në e Berishës dhe Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Ky vendim u prit me entuziazëm nga Sali Berisha, i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Kjo dhuratë që iu bë Sali Berishës në moshë të thyer fizike dhe mendore, tregon qartë se ai po bën përpjekjen e tij mbase të fundit jetësore që të rikthehet në skenën politike, duke i keqpërdorur në mënyrën më të keqe ata që i shkojnë prapa, duke i gënjyer se ai po kthehet në politikë për të mirën e vendit. Por e vërteta është krejt tjetër: ai me lëvizjen e tij të fundit po mundohet që ta lajë fytyrën e tij të nxirë nga akuzat e për korrupsion të ngritura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), si dhe nga Londra dhe Uashingtoni që e kanë sanksionua. Dhe në fund të fundit edhe po nuk ia doli, pasi pas datës 21 qershor atij rrezikon t’i digjet edhe mandati i deputetit, për shkak se plotësohen plot 6 muaj që nuk ka shkuar në Kuvend, Partia Demorkatike me shumë gjasa do t’i trashëgohet vajzës së tij. Marrja e kontrollit të Partisë Demorkatike dhe katapultimi në krye të saj, i Argita Malltezit, mund të shihet nga ish-kryeministri Berisha si sukses, sepse në vendin e shqiptarëve dhe të shqiponjave gjithçka është e mundur, por në historinë e kombit fitorja e tij do të mund të quhej si “Fitorja e Pirros” (Fitorja e Pirros nënkupton sakrifica të rënda. Në betejën që u zhvillua më pas në Heraklea afër Tarentit (280 para Kr.) Pirro i Epirit u ndesh me një ushtri Romake dy herë më të shumtë në numër se ushtria e tij dhe doli Fitimtar. Mirëpo ai humbi aq shumë oficerë dhe ushtarë saqë thirri: “Edhe një betejë tjetër si kjo dhe më duhet të kthehem vetëm në Epir “Prej ketej lindi edhe shprehja “Fitore si e Pirros”.)
Katapultimi i Argitës në krye të PD
Megjithatë Sali Berisha ka folur disa herë për angazhimin politik të së bijës dhe gjithmonë ka dredhuar se dy anëtarë të një familje nuk mund të jenë në parti. Por situata ka ndryshuar. Ai është i izoluar dhe punë ditësh ai rrezikon të humbasë mandatin, pasi ka 6 muaj pa shkuar në Kuvend. Po ashtu ai rrezikon të mbetet jashtë zgjedhjeve të vitit 2025, për shkak se po hetohet për afera korruptive nga SPAK. Kështu që përballë kësaj situate, duket se ka dalë sërish në skenë Argita Berisha. Ndryshe nga herët e tjera, ajo e ka thënë hapur këtë herë se do të tentojë të marrë frerët e PD nëse Berisha mbetet jashtë zgjedhjeve të vitit 2025. “Sali Berisha ka funksionin e tij dhe kuptohet se dy anëtarë të një familje nuk mund të kenë aktivizëm të spikatur”, tha ajo në një intervistë. Mirwpo Argita është parë në protestat para Bashkisë së Tiranës e Kuvendit dhe duket se nuk është e kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat në parti. “Duhet bërë më shumë për të çuar frymën te njerëzit që nuk janë angazhuar”, tha ajo. Pra duket se mesazhet janë të qarta. Ndryshe nga shumë persona te grupi i Berishës dhe i Bardhit që ëndërrojnë të marrin kreun e partisë dhe pse jo të kandidojnë për Kryeministër, në fakt Berisha ka në mendje diçka tjetër. Për këtë parti ai ka vrarë, ka rrahur, ka vjedhur, ka prerë dhe çfarë nuk ka bërë. Për këtë arsye nuk mund ta lërë në dorë të Bardhit apo Salianjit. Që pas arrestit, Argita nisi të dalë në publik dhe ai ishte sinjali i parë. Tani nuk ka më asnjë dyshim. Edhe nëse Gjykata nuk e ndalon, me gjasë Berisha po shkon drejt tërheqjes politike dhe Argita ka thënë hapur se në momentin që i ati nuk do të jetë më aty, do të hyjë ajo në lojë.
Reagon Argita Malltezi
Ndërkohë për të treguar se ajo do të marrë timonin e Partisë Demorkatike, zonja Malltezi i mbylli Lulzim Bashës dhe grupit të tij derën e PD, të cilët gjatë një prononcimi për mediat, pas vendimit të Apelit që i dha vulën Sali Berishës, i akuzoi për shkatërrimin e partisë. “Mendoj që PD ka bërë gjithnjë ftesë për bashkim. Dyert janë të hapura për çdo demokrat. Basha nuk ka kontribut për këtë ditë, ka kontribut për kapjen e opozitës dhe shkatërrimin e saj në vite. Nuk duhen harruar gabimet se ndryshe përsëriten. Mendoj që i ka mbyllur vetes çdo derë”, u shpreh Malltezi. E pyetur se pas kësaj a duhet të largohet Berisha si kreu i PD-së dhe t’i hapë rrugë garës së saj në krye të PD, ajo u përgjigj se: “Unë pjesë e PD kam qenë që në ‘90. Qëndrestarët nuk luftojnë për t’u larguar në momentin që fituan një betejë. Ne fituam një betejë, kemi beteja të tjera për të fituar deri sa të fitojmë luftën, që është rrëzimi i Ramës. Pas kësaj Berisha ka thënë referendum për kryeministër”. Pa fshehur emocionet për rikthimin e vulës së PD, Malltezi tha se ky është një vendim i një drejtësie që reflekton normalitet, përkundër vendimeve të tjera, për të cilat ajo u qëndron deklaratave për gjyqësor të kapur. “Është një vendim i thjeshtë, por rikthimi i normalitetit në prizmin juridik është shumë i rëndësishëm. Të gjithë njerëzit që vijnë te rruga dhe kjo atmosferë e tregon. Ne kemi detyrë si qytetarë të thjeshtë të denoncojmë çdo gjë që devijon nga rruga e ligjit dhe tregon kapjen e drejtësisë. Drejtësia mund të mos jetë e kapur, mund të jetë e gabuar, por kur gabimi është persistent ajo është drejtësi e kapur. Unë u qëndroj atyre që kam thënë, janë vendime të një drejtësie të kapur. Ky është vendimi i një drejtësie që reflekton normalitet. Ka edhe gjyqësor të pakapur nga Rama”, nënvizoi Malltezi.
