Mosmarrëveshja kushtetuese dhe politika e mandateve, gazetari zbulon çfarë fshihet pas kontestimit të Holta Zaçajt

Data

Gazetari Endri Xhafo ka folur lidhur me mandatin e kryetares së Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj. Gjykata e Lartë ka nisur procedurat e aplikimit për një vend vakant në gjykatë, duke konfirmuar vakancën pas mbarimit të mandatit të Zaçajt, ndërsa kryetarja i është drejtuar Komisionit të Venecias. “Holta Zaçaj është kryetare e Gjykatës Kushtetuese, Sokol Sadushi është kryetar i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë propozon 3 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese; të tjerët propozohen në mënyrë të barabartë nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës. Sokol Sadushi njoftoi të martën se Holta Zaçajt i mbaron mandati si gjyqtare në 10 mars 2025. Në fakt këtë njoftim duhet ta bënte vetë Holta Zaçaj. Pse? Sepse ligji përcakton që vakancën, pra mbarimin e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, e njofton kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë rast, Zaçaj për Zaçajn. Por Zaçaj nuk e bëri. Atëherë e bëri Sadushi. Pse? Sepse ligji nuk përcakton se ç’ndodh kur kryetari i Gjykatës Kushtetuese “çmendet” dhe nuk njofton vakancën. Por Zaçaj nuk është çmendur, ende! Zonja mendon që mandati i saj si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese nuk mbaron kur thotë kryetari i Gjykatës së Lartë. Kryetari i Gjykatës së Lartë, nga ana tjetër, mendon se njoftimi i mbarimit të mandatit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nga kryetari i saj është thjesht një akt formal. Kjo situatë quhet “mosmarrëveshje kushtetuese”. Megjithëse konstitucionalistë të ndryshëm mendojnë se kjo historia e Sokol Sadushit është sikur kryetarit të Gjykatës së Apelit t’i shkrepet të thotë se zotit Sadushi i ka mbaruar mandati si kryetar i Gjykatës së Lartë. Me fjalë të tjera, duke qenë në hierarki poshtë Gjykatës Kushtetuese, Gjykata e Lartë nuk mund të iniciojë “mosmarrëveshje kushtetuese”. “Mosmarrëveshjet kushtetuese” janë megjithatë normale në demokraci. Ato lindin kur dy apo më shumë institucione e interpretojnë në mënyra të ndryshme të njëjtin ligj; interpretimin përfundimtar, – që i jep fund “mosmarrëveshjes kushtetuese”, – e bën… Gjykata Kushtetuese. Nga rasti në fjalë, lind megjithatë një pyetje: A mundet Gjykata Kushtetuese të bëjë interpretimin e një çështje kur në pamje të parë ka konflikt interesi mes anëtarëve të saj dhe çështjes objekt shqyrtimi? Sepse, për rastin konkret, për mandatin e gjyqtares Zaçaj do të duhet të shpreheshin edhe 2 anëtarë të tjerë të gjykatës që kandiduan përballë saj për postin e kryetares dhe, së dyti, – më e rëndësishmja, – përveç mandatit të Holta Zaçajt, në lojë janë edhe mandatet e Sonila Bejtes dhe Elsa Toskës (e dorëhequr). Përgjigja është, po! Gjykata Kushtetuese mund të shqyrtojë edhe në rastet e konfliktit të interesit! Ka të paktën dy precedentë në këtë drejtim. I pari, në 2010. Gjykata Kushtetuese rrëzoi ligjin për “lustracionin”, edhe pse të paktën kryetari i saj, Fehmiu Abdiu, prekej direkt nga ligji. Precedenti i dytë, ligji për vetingun në 2016. Gjykata Kushtetuese nuk e rrëzoi, vetingu mbeti në fuqi dhe procesit iu nënshtruan të gjithë anëtarët e Gjykatës; kjo, edhe pas një mendimi konsultativ të Komisionit të Venecias. Ironi e fatit: Ligji për vetingun i 2016-ës pastroi krejt Gjykatën Kushtetuese nga anëtarët e saj dhe poshtëroi me sadizëm kryetarin Bashkim Dedja për një apartament “të qelbur” 60m², ndërkohë që ligji për “lustracionin” i 2010-ës do të prekte vetëm ndonjë anëtar të gjykatës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related