Në fillim të dhjetorit, Prokuroria e Tiranës i delegoi SPAK-ut dosjen e asaj që e konsideroi organizata kriminale për krijimin e skemave mashtruese me mikrokreditë, e cila akuzohet se ka zhvatur mbi 17 mijë qytetarë shqiptarë që prej vitit 2015. Sipas hetimit, grupi i mësipërm akuzohet se ka zhvatur të paktën 36.8 milionë euro dhe 1700 prona të paluajtshme nga mijëra qytetarë, përmes skemës së rifinancimit të kredive të këqija dhe shantazhit.
Skandali i mikrokredive preku dhe Bankën e Shqipërisë dhe guvernatorin e saj, Gent Sejko pasi një hetim i mëparshëm i Prokurorisë së Tiranës vlerësoi se ky institucion ka përgjegjësi për masa të vonuara ose të papërshtatshme për të frenuar këtë skemë.
Ndërsa hetimet vijojnë, në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një nismë ligjore që synon të rregullojë marrëdhënien mes konsumatorëve dhe institucioneve financiare që ofrojnë kredi konsumatore si dhe vendosjen e rregullave të qarta për mbrojtjen e konsumatorëve në të ardhmen.
Projektligji për “Marrëveshjet e Kredisë Konsumatore” është nismë e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe synon vendosjen e rregullave të qarta për transparencën e kushteve të kredive dhe detyrimin e ofruesve të shërbimeve për të informuar konsumatorët për të gjitha kostot dhe të drejtat e tyre.
“Ky ligj synon të rrisë transparencën, të fuqizojë të drejtat e konsumatorëve dhe të minimizojë praktikat abuzive, duke krijuar një mjedis më të sigurt për marrjen e mikrokredive,” i tha Tabaku BIRN-it.
