Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kërkuar në Kuvend praninë e ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, për të dhënë llogari mbi gjendjen në pediatrinë e Lushnjës.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare, Korreshi përdori tone ironike dhe akuzoi institucionet shëndetësore për neglizhencë, duke pretenduar se në ambientet e pediatrisë ka prani minjsh.
“Kisha një pyetje, atë ministren e Shëndetësisë a ju kanë zënë sytë? Doja t’i tregoja pamjet e pediatrisë së Lushnjës, po na hanë minjtë. Po lozin minjtë te pediatria”, deklaroi ai.
Deputeti opozitar tha se problematika nuk lidhet me godinën që është planifikuar të rikonstruktohet, por me kushtet aktuale ku trajtohen fëmijët.
“Të vijë ajo ministrja, të lërë ato buzët e kuqe se s’po e sjellim për pilaf. Bëhet fjalë për fëmijët”, u shpreh Korreshi.
Ai shtoi gjithashtu se kërkesat e tij për interpelancë me ministren nuk janë marrë parasysh deri më tani.
