Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca nuk është e përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Lindjen e Mesme, por theksoi se do të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj nëse do të jetë e nevojshme.
Gjatë një vizite në Maqedoninë e Veriut, Rutte u shpreh se Irani përbën një kërcënim për rajonin, për Izraelin dhe për Evropën.
“NATO nuk është e përfshirë në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme, por ne do të mbrojmë çdo centimetër të territorit tonë,” deklaroi ai.
Rutte shtoi se Irani është pranë zhvillimit të kapaciteteve bërthamore dhe raketave balistike, duke e cilësuar situatën shqetësuese për sigurinë ndërkombëtare.
Ai theksoi gjithashtu se operacionet ushtarake të fundit janë kryer nga SHBA-të dhe Izraeli, ndërsa çdo mbështetje nga aleatët e tjerë është ofruar në baza dypalëshe dhe jo në kuadër të një operacioni të NATO-s.
