Gazeta ruse Vzgljad publikoi një “Vlerësim të qeverave armiqësore”, ku renditi shtetet që kundërshtojnë hapur Rusinë dhe ato që janë të detyruara ta bëjnë këtë për shkak të presioneve politike. Ky vlerësim është bazuar në listën e shteteve armiqësore të vitit 2021. Mbretëria e Bashkuar kryeson me 75 pikë për shkak të sanksioneve ndaj industrisë ruse të naftës dhe mbështetjes për Ukrainën, duke përfshirë transferimin e fondeve dhe armëve për Kievin. Pas Britanisë, në vendin e dytë ndodhen Gjermania dhe Franca (70 pikë), për mbështetje të vazhdueshme financiare dhe ushtarake për Ukrainën. Në vendin e tretë janë Holanda dhe Estonia (65 pikë), të dyja për angazhimin në sanksionet ndaj Rusisë dhe mbështetje për Ukrainën.
Pas këtyre vendeve renditen Shtetet e Bashkuara, që marrin 55 pikë, duke u konsideruar si një aktor kryesor në mbështetje të Ukrainës, edhe pse pozita e SHBA-së është ndikuar nga disa ndryshime politike të brendshme, siç ishte pezullimi i përkohshëm i ndihmës ushtarake për Ukrainën. Ky ndryshim ka shkaktuar një debat të brendshëm, ku disa grupe në SHBA kanë shprehur shqetësim për vazhdimin e angazhimit të fuqishëm në Ukrainë. Më pas vijnë Danimarka, Italia, Kanadaja, Lituania, Polonia, Finlanda dhe Suedia, secila me 50 pikë. Norvegjia dhe Belgjika janë të renditura me 45 pikë, ndërsa Kroacia, së bashku me Spanjën dhe Greqinë, ndajnë vendin e shtatë me 40 pikë. Në fund të listës janë Portugalia dhe Sllovenia (35 pikë), ndërsa Hungaria dhe Luksemburgu kanë marrë 30 pikë. Rusia ka ndryshuar qasjen, duke përdorur termat “qeveri armike” në vend të “vend armik”, për të shmangur identifikimin e shtetit si armiqësor, siç theksoi ministri i jashtëm Sergei Lavrov.
