Rusia paralajmëroi sulme ndaj Kievit, SHBA reagon: Ambasada amerikane mbetet e hapur, nuk ka urdhër evakuimi

Data

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se ambasada amerikane në Kiev do të vijojë të funksionojë normalisht, pavarësisht paralajmërimeve të fundit nga Rusia për rrezikun e sulmeve ndaj kryeqytetit ukrainas.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar në platformën X, ambasada amerikane hodhi poshtë raportimet për mbyllje apo pezullim të operacioneve diplomatike.

“Nuk ka pasur asnjë ndryshim në operacionet tona dhe çdo raport që thotë të kundërtën është i rremë”, thuhet në reagimin e ambasadës së Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada shtoi se Departamenti Amerikan i Shtetit vazhdon të ketë prioritet sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe rishikon vazhdimisht masat e sigurisë në selinë diplomatike në Kiev.

Paralajmërimet nga Moska erdhën pasi Ministria e Jashtme e Rusisë u bëri thirrje diplomatëve dhe shtetasve të huaj të largohen nga kryeqyteti ukrainas “sa më shpejt të jetë e mundur”, duke pretenduar se ekziston rrezik i lartë për sulme me raketa.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e kishte paralajmëruar për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Kiev.

Sipas Rubios, personeli diplomatik amerikan është informuar për rrezikun e shtuar, por deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër për evakuim.

Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm, duke refuzuar thirrjet e Kremlinit për tërheqjen e diplomatëve nga Ukraina.

Ambasadorja e BE-së në Ukrainë, Katarina Maternova, deklaroi se përfaqësuesit europianë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kiev.

“Bashkimi Evropian nuk do të largohet që këtej. Ne do të qëndrojmë në Kiev”, u shpreh ajo.

Situata e sigurisë në Ukrainë mbetet e tensionuar, ndërsa fundjavën e kaluar Rusia ndërmori një valë të re sulmesh me raketa ndaj Kiev, ku sipas autoriteteve ukrainase humbën jetën të paktën dy persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related