Ka nisur këtë të enjte protesta e pestë radhazi kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit. Qytetarë, aktivistë të mjedisit dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit që, sipas tyre, rrezikon ekosistemin dhe pasuritë natyrore të zonës.
Mes ovacioneve dhe brohorimave, protestuesit kanë përsëritur thirrjet “Nuk ka dialog, vetëm dorëheqje!”, “Zvërneci nuk preket!” dhe “Revolucion!”, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të autoriteteve nga plani për zhvillimin turistik në këtë territor të mbrojtur.
Organizatorët e protestës kanë zgjedhur si slogan të tubimit të sotëm moton: “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”, duke theksuar se mobilizimi qytetar do të vazhdojë deri në anulimin e projektit.
Pas grumbullimit në qendër të Tiranës, protestuesit pritet të marshojnë drejt Kryeministrisë për të vijuar aksionin e tyre kundërshtues. Sipas organizatorëve, mbrojtja e Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës mbetet një kauzë kombëtare që kërkon angazhimin e të gjithë qytetarëve.
