Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka konfirmuar për herë të parë hetimet në lidhje me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke zbuluar se po hetohen katër akuza të rëndësishme për këtë çështje. Hetimet përfshijnë dyshime për korrupsion, shpërdorim detyre dhe përfshirje në tendera të dyshimtë, çka ka shkaktuar një shpërthim të reagimeve nga avokatët e Veliajt. Ata kanë kritikuar ashpër prokurorët specialë, duke i akuzuar për tentativë për të manipuluar procesin dhe për të krijuar një komplot politik kundër kryebashkiakut. Sipas mbrojtësve të tij, këto akuza janë të pabaza dhe synojnë vetëm dëmtimin e imazhit të Veliajt në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ndërkohë që kryebashkiaku nëse i ngrihen akuzat nga prokurorët specialë rrezikon deri në 20 vite burg.
Reagimi i SPAK
Konkretisht SPAK ka reaguar dje lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. SPAK bën me dije se nga denoncimi i një qytetari të vetëidentifikuar si Nesti Angoni ekzistojnë të dhëna konkrete për 4 akuza lidhur me këtë çështje; korrupsion, pastrim parash, fshehje e pasurisë dhe deklarimi i rremë. Veliaj dëshmoi dje për më shumë se 5 orë në SPAK. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nga mbledhja e Këshillit Bashkiak dje e cilësoi thirrjen në SPAK si një “kurth të sajuar”, duke thënë se është denoncuar nga një person i quajtur Nesti Angoni, që sipas tij nuk ekziston. Por Sali Berisha tha sot se Nesti Angoni është vetë Edi Rama që i ka përgatitur dosjen. “Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojmë: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale: “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u çregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal. Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Regjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njoftoi dje SPAK.
