Ish-presidenti Ilir Meta ka dhënë sërish ditën e djeshme sinjale alarmi se ka marrë informacione se punë javësh SPAK do të trokasë për të dhe familjarët e tij. Prej disa javësh ai ka sulmuar më fort se kurrë Prokurorinë e Posaçme, madje ka shkuar deri në ekstrem duke mbrojtur hapur korrupsionin e lartë që po godet SPAK dhe arrestimet që po përgatit. Dosjet e tij janë “mal” në SPAK, por drejt mbylljes janë tre dosje: “CEZ-DIA” që implikon drejtpërdrejt Ilir Metën, lobimi me para të pista që kap me firmë Monika Kryemadhin dhe bashkëpunëtorë të tjerë të LSI dhe operacionet plastike me para të padeklaruara që i fundosin familjarisht.
Ilir Meta sulmon SPAK
Gjatë një dalje për mediat dje, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lëshuar akuza të forta ndaj kreut të qeverisë Edi Rama për iniciativën e tij për Komisionin Antikorrupsion dhe ka goditur SPAK se po mban padrejtësisht të izoluar Sali Berishën. “Të marrësh pjesë në një komision për të legjitimuar ramaformën, e cila shkatërroi reformën duke uzurpuar të gjitha institucionet e drejtësisë, që nga betimet e anëtarëve të GJK te Lana dhe gjithë këto të tjerat. Që nga afirmimi i gjykatësve me tre katër emra që përdoren për të mbajtur të izoluar Berishën. Të kalosh nga komisioni i Reformës te komisioni i ramaformës, me kontroll absolut të mazhorancës, është gjëja më e turpshme dhe skandaloze. Askush nuk e ka penguar Ramën të luftojë korrupsionin. Askush nuk ka patur më shumë instrumente se ai, madje më shumë se Ramiz Alia. Ky i ka patur të gjithë, ka patur dhe 120 deputetë atje dhe ju e dini çfarë bëri. Vetëm ligje me porosi, për klientët e tij dhe për të vjedhur çnjerëzisht”, tha Meta.
Çfarë po ndodh me dosjet në SPAK?
Kallëzimet për Ilir Metën janë referuar në SPAK nga juristi Romeo Kara, ish deputeti Halit Valteti, avokati Idajet Beqiri dhe gazetari Adriatik Doçi, për disa episode korruptive. Deri më tani, prokurorët kanë marrë në pyetje me qindra dëshmitarë, ku përfshihen të afërm, familjarë, shoqëri, biznesmenë, artistë të lidhur me çiftin Meta-Kryemadhi. SPAK i ka sekuestruar dhe një celular Monika Kryemadhit. Thuhet se hetimet janë vonuar deri më tani pasi prokurorët po kryejnë hetim pasuror ndaj Metës e Kryemadhit, por edhe personazheve të tjerë të cilët dyshohet se ata kanë kaluar pasuritë. Nga ana tjetër, thuhet se është vërtetuar se paratë e aferës CEZ-DIA kanë përfunduar tek LSI dhe xhepat e Ilir Metës. Dëshmia më e rëndësishme, ajo e Vojsava Ismailajt për dosjen CEZ-DIA, është siguruar nga gazetarët Artan Hoxha dhe Fatos Mahmutaj. Dyshohet se çështje kohësh ky i fundit pritet të akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Nga ana tjetër, prokurori Sotir Kllapi ka në duar dosjen e lobimit. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Qipro ka ardhur përgjigja zyrtare për letërporositë e SPAK-ut, ku konfirmohet se gjatë viteve 2016-2017, Ilir Meta ka shpenzuar qindra mijëra euro për lobim në SHBA, para këto që nuk u dihet burimi dhe që nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKPKI. Meta mund të akuzohet për pastrim parash dhe falsifikim formularësh. Po ashtu edhe për dosjen e shërbimeve estetike janë marrë në pyetje dhe mjekë të huaj. Gjithashtu SPAK ka bashkëpunuar me ndërkombëtarët për të plotësuar me informacion këto dosje. Pra SPAK po qep dosjet, të cilat bazohet në një grup faktesh dhe provash, të cilat konfirmojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm implikimin e Metës e Kryemadhit në disa episode korrupsioni dhe pastrimi parash.
