Dy muaj pas vendimit të Bashkisë Kamëz për rritjen e çmimit të biletës së transportit urban, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë një hetim paraprak mbi këtë çështje, pas ankesave të shumta dhe shqetësimeve të ngritura publikisht.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi është çelur për të analizuar nëse rritja e çmimeve të biletave dhe aboneve mujore në transportin urban të Kamzës ka cenuar konkurrencën e lirë dhe efektive në treg. Në fokus të verifikimeve do të jenë linjat Kamëz–Tiranë–Kamëz dhe Paskuqan–Babrru–Tiranë, të cilat përdoren çdo ditë nga mijëra qytetarë.
Nga dokumentacioni rezulton se shoqëria “SHPRESA – AL” SHPK është operatori i vetëm i licencuar për ofrimin e këtij shërbimi në këto linja, duke zotëruar një pozitë dominuese në treg. Autoriteti i Konkurrencës thekson se nga vlerësimi paraprak nuk janë konstatuar analiza të plota ekonomike dhe financiare që të justifikojnë rritjen e tarifave mbi baza objektive, si rritje reale e kostove apo domosdoshmëri ekonomike.
Hetimi paraprak do të shtrihet për periudhën nga 1 janari 2025 deri më 12 dhjetor 2025 dhe synon të vlerësojë nëse sjellja e operatorit përbën kufizim, shtrembërim apo pengim të konkurrencës, në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës.
Kujtohet se çmimi i biletës në linjën Kamëz–Tiranë u rrit nga 40 në 50 lekë, ndërsa aboneja mujore nga 1200 në 1400 lekë. Ky vendim u shoqërua me akuza serioze për konflikt interesi. Janë publikuar dokumente që tregojnë se persona të përfshirë në propozimin, mbështetjen dhe miratimin e rritjes së tarifave janë njëkohësisht drejtues ose të lidhur me kompaninë që përfiton drejtpërdrejt nga ky vendim.
Propozimi për rritjen e çmimeve u paraqit nga kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, i cili e justifikoi vendimin me rritjen e kostove të karburantit, mirëmbajtjes dhe mungesën e subvencioneve. Megjithatë, të dhënat tregojnë se ai mban njëkohësisht edhe funksion drejtues në kompaninë operuese, duke ngritur dyshime të forta për përfitim të drejtpërdrejtë financiar.
Dyshimet janë thelluar edhe në Këshillin Bashkiak Kamëz, ku disa këshilltarë që votuan pro rritjes së tarifave rezultojnë me lidhje direkte me kompaninë përfituese. Situata u bë edhe më problematike pasi mbledhja e Këshillit Bashkiak, e transmetuar fillimisht në rrjete sociale, u fshi më pas, duke ngritur pikëpyetje për transparencën e procesit vendimmarrës.
Ndërkohë, qytetarët e Kamzës kanë reaguar me protesta dhe pakënaqësi, duke e konsideruar rritjen e çmimit një barrë të rëndë ekonomike dhe duke kërkuar ndërhyrje institucionale për mbrojtjen e interesit publik.
