Policia e Korçës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj administratorit të një kompanie mirëmbajtjeje rrugësh, pasi dyshohet se nuk ka kryer pastrimin dhe kriposjen e aksit rrugor Maliq–Lozhan, duke rrezikuar sigurinë e përdoruesve të rrugës.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur hetimin për shtetasin B. H., 48 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë administrator i operatorit ekonomik të kontraktuar për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.
Nga verifikimet paraprake dyshohet se kompania nuk ka ofruar shërbimin e pastrimit dhe kriposjes së rrugës, pavarësisht kushteve të motit të keq dhe prezencës së ngricave, çka ka sjellë rrezik real për qarkullimin dhe vështirësi për drejtuesit e automjeteve.
Veprimet e tij dyshohen si shkelje e detyrimeve kontraktuale dhe ligjore, ndaj ndaj administratorit ka nisur procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive ligjore.
