Franca po përgatitet të ndërmarrë një hap të fortë për mbrojtjen e shëndetit mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve. Gjatë muajit janar pritet të shqyrtohet një projektligj që synon ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, si dhe kufizimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme.
Sipas mediave të huaja, Këshilli i Shtetit do ta shqyrtojë projektligjin më 8 janar. Nëse miratohet, ndalimi i rrjeteve sociale për të miturit nën 15 vjeç dhe përdorimi i celularëve në shkollat e mesme do të hyjnë në fuqi nga viti i ri shkollor, në shtator 2026.
Burime qeveritare bëjnë me dije se projektligji është hartuar në përputhje të plotë me legjislacionin e Bashkimit Europian, ndryshe nga një iniciativë e mëparshme që kishte dështuar pikërisht për shkak të mospërputhjes ligjore.
Qeveria franceze e konsideron këtë masë të domosdoshme, duke u mbështetur në studime të shumta shkencore që tregojnë rreziqet serioze të përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët, përfshirë ankthin, depresionin, varësinë digjitale dhe rënien e përqendrimit në mësim.
Aktualisht, përdorimi i telefonave celularë është i ndaluar në Francë që nga kopshti deri në shkollën e mesme, bazuar në ligjin e vitit 2018, edhe pse zbatimi i tij ka qenë shpesh i vështirë në praktikë.
Autoritetet synojnë që me këtë ligj të ri të krijojnë një ambient më të sigurt arsimor dhe social për të rinjtë, duke reduktuar ekspozimin e tyre ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe presionit psikologjik që vjen nga rrjetet sociale.
