Zgjidhje prej Pelivani”/ BIRN: KLP nxjerr në pension prokurorin para seancës në KPA

Data

Ndërsa prokurori Pelivan Malaj ishte i pezulluar – pas vendimit të KPK-së për shkarkimin e tij nga detyra për mungesa të mëdha burimesh për pasurinë, atij iu zgjat mosha e daljes në pension nga KLP-ja – duke i mundësuar të merrte 70% të pagës për tre vjet. Pasi iu shpall data e seancës në Kolegjin e Apelimit me 22 prill, KLP-ja pranoi me urgjencë një kërkesë për daljen e tij në pension, në kapërcim të procedurave.

Të mërkurën, me 17 prill, Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbajti një nga seancat më të pazakonta në historinë e tij të shkurtër.

Pasi dëgjoi raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, për veprimtarinë e organit të akuzës gjatë vitit 2023, KLP-ja kaloi për shqyrtim në rend dite, jashtë radhe dhe me urgjencë, një kërkesë për daljen në pension të prokurorit të Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj, i cili ishte i pezulluar nga detyra prej 11 janarit 2021, kur u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për probleme në kriterin e pasurisë.

Kërkesa e Malajt solli debate mes anëtarëve të KLP-së, pasi u kontestua si e paligjshme dhe e pambështetur në rregullore nga ana e anëtarit Sokol Stojani, i cili ishte i vetmi nga anëtarët e pranishëm në mbledhje që votoi kundër.

Kërkesa për futjen në rend dite të Malajt u parashtrua fillimisht në Këshill nga anëtari Zeqir Hoda. Ai shpjegoi se kur kishte shkuar në zyrë të mërkurën më 17 prill, kishte gjetur kërkesën e prokurorit Pelivan Malaj, i cili sillte në vëmendje se i ishte drejtuar KLP-së për të marrë në konsideratë gjendjen e tij shëndetësore, duke e cilësuar si pamundësi për të vijuar funksionin. Po ashtu, ai kishte shpjeguar se megjithëse dy vjet më parë kishte mbushur moshën e pensionit të pleqërisë 67 vjeç, me kërkesë të tij, KLP-ja kishte vendosur të zgjaste vijimin e funksionit të prokurorit për Malajn deri në moshën 70 vjeç.

Hodo theksoi se, nisur nga natyra e kërkesës, duhej pranuar vullneti i prokurorit.

“Mendoj se ka prioritetin për t’u trajtuar me urgjencë. Propozoj që kjo të përfshihet në rendin e ditës të kësaj seance”, deklaroi Hodo, ndërsa kryetari i KLP-së, Alfred Balla, konstatoi se kuorumi ishte i mundur, pasi ishin të pranishëm 9 prej 11 anëtarëve. Sipas Ballës, mungonin anëtarët Arta Mandro dhe Olger Eminaj.

Në vijim e mori fjalën anëtari Sokol Stojani, i cili shpjegoi se kërkesa e Malajt nuk ishte diskutuar akoma nga Komisioni Karrierës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related