Është zbardhur dëshmia e njërit prej punonjësve të policisë “Shqiponja” në Shkodër, i cili ishte i pranishëm në çastet e para pas ndodhjes së masakrës së “Dobraçit”, ku mbetën të vrarë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve, Bashkim e Flutura Basha.
Viktor Logu, ka treguar se kishin shkuar në vendin e ngjarjes pas njoftimit për një aksident të rëndë dhe jo për një ngjarje kriminale.
Do të duheshin disa minuta dhe konstatimi i vrimave të plumbave në “Benz”-in e zi, për të kuptuar se nuk kishin të bënin me një aksident por me një ngjarje të rëndë kriminale.
“…Në kohën kur ne kishim mbërritur në vendin e ngjarjes i raportoj Sallës së Komandimit DVP-Shkodër se, nuk kemi të bëjmë me një aksident rrugorë por kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale me përdorim të armëve të zjarrit…”- ka rrëfyer tek oficerët e AMP-së, Viktor Logu.
