Romir Saraçi: Hetimi i SPAK ndaj Belinda Balluku po thellohet, 15 kontrolle dhe fokus te pasuritë – drejt akuzës për korrupsion

Data

Analisti Romir Saraçi ka deklaruar se hetimi i SPAK ndaj Belinda Balluku ka hyrë në një fazë më të avancuar, duke u fokusuar tashmë te gjurmimi i pasurive dhe rrjedhës së parave.

I ftuar në një emision televiziv, Saraçi theksoi se lëshimi i rreth 15 urdhër-kontrolleve ndaj familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të Ballukut tregon një orientim të qartë të hetimit drejt verifikimit të pasurisë dhe dyshimeve për korrupsion.

Sipas tij, SPAK nuk ndodhet më vetëm në fazën e hetimit për abuzime me tendera, por ka kaluar në një nivel më të thelluar, që lidhet drejtpërdrejt me akuzën për korrupsion dhe përfitime të paligjshme.

“Kjo tregon se kemi të bëjmë me një hetim pasuror të mirëfilltë, ku po ndiqet rrjedha e parave dhe po kërkohet konfirmimi i akuzës për korrupsion”, u shpreh ai.

Saraçi shtoi se ekzistojnë indicie të forta, në mos prova, që kanë çuar në këto veprime konkrete, duke përfshirë kontrolle jo vetëm në biznese, por edhe në rrethin familjar dhe në komunikime të ndryshme.

Ai ngriti gjithashtu dyshime për transferta të mundshme parash jashtë vendit, duke theksuar se janë dërguar letërporosi në vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shtete të Bashkimit Europian.

Sipas analistit, hetimi mund të shtrihet përtej rrethit të ngushtë familjar, duke përfshirë edhe persona të tjerë me lidhje më të gjera me Ballukun, çka tregon kompleksitetin e çështjes.

Në vijim, ai paralajmëroi se, duke parë mënyrën se si operon SPAK, pritet që në një fazë të afërt të ketë edhe kërkesa për masa sigurie ndaj personave të përfshirë në dosje.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur hetimet ndaj ish-numrit dy të qeverisë janë intensifikuar, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë hapat e radhës të prokurorisë në këtë çështje.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related