Komisariati i ri i Policisë është inauguruar në Krujë, si pjesë e investimeve për modernizimin e Policia e Shtetit dhe përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Në ceremoninë e inaugurimit morën pjesë Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, si dhe drejtues të tjerë të policisë.
Në fjalën e tij, ministri Lamallari theksoi se modernizimi nuk lidhet vetëm me infrastrukturën, por edhe me standardet e shërbimit dhe qasjen ndaj qytetarëve.
“Kur flasim për modernizim, nuk bëhet fjalë vetëm për godina të reja, por për standarde europiane dhe shërbim cilësor për qytetarët”, u shpreh ai, duke kërkuar rritje të performancës nga efektivët.
Objekti i ri përfshin mbi 2200 metra katrorë ambiente të rikonstruktuara dhe ofron kushte bashkëkohore për rreth 140 punonjës policie. Ai është pajisur me hapësira të specializuara për trajtimin e rasteve, përfshirë ambiente për të miturit, praninë e mjekut dhe avokatit, si dhe salla të posaçme për marrjen në pyetje.
Gjithashtu, komisariati disponon një sallë operative moderne, e cila synon të rrisë shpejtësinë dhe efikasitetin e reagimit ndaj situatave të ndryshme.
Nga ana e tij, Drejtori i Policisë së Shtetit kërkoi angazhim më të madh në luftën kundër paligjshmërisë, duke theksuar goditjen e pikave të lojërave të fatit, parandalimin e kultivimit të kanabisit, si dhe kapjen e personave në kërkim.
Një vëmendje e veçantë, sipas tij, duhet t’i kushtohet edhe krimeve mjedisore dhe ndërtimeve pa leje, si pjesë e forcimit të rendit dhe ligjit në territor.
Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punës për efektivët dhe rritjes së cilësisë së shërbimit për komunitetin në zonën e Krujës.
