“Ripërtëritja është forcë, jo frikë”, Berisha paralajmëron valë të re protestash: Kryengritja paqësore është leva për rikthimin e votës së lirë dhe ndryshimin politik

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se procesi i ripërtëritjes së partisë ka nisur prej muajsh dhe do të shtrihet në të gjitha strukturat organizative, duke filluar nga seksionet bazë e deri në nivelet më të larta drejtuese.

Në përfundim të punimeve të Kuvendit Kombëtar të PD-së, Berisha u shpreh para gazetarëve se ripërtëritja nuk duhet parë si kërcënim, por si një proces i domosdoshëm për forcimin e partisë dhe përgatitjen e saj për betejat e ardhshme politike.

“Ai që ripërtërin veten, nuk ka frikë nga ripërtëritja”, deklaroi Berisha, duke theksuar se ky proces ka filluar prej dy muajsh, por nuk është promovuar publikisht për shkak të angazhimeve të tjera politike të opozitës.

Kreu i demokratëve bëri të ditur gjithashtu se Partia Demokratike do të vijojë aksionin opozitar në terren, ndërsa paralajmëroi organizimin e protestave të reja në ditët në vijim.

Sipas tij, data e protestës së ardhshme pritet të përcaktohet shumë shpejt nga strukturat drejtuese të partisë.

“Protesta e radhës do të përcaktohet sot ose nesër dhe do t’jua njoftojmë. Pa diskutim që do të ketë protesta. Demokratët presin të protestojnë”, tha ai.

Berisha e cilësoi protestën dhe mobilizimin qytetar si një instrument të rëndësishëm politik përballë asaj që opozita e konsideron deformim të vullnetit të qytetarëve.

“Kryengritja paqësore është leva e Arkimedit për të rikthyer votën e lirë të shqiptarëve”, u shpreh kreu i PD-së, duke nënvizuar se krahas reformimit të brendshëm të partisë, aksioni politik do të mbetet një nga shtyllat kryesore të opozitës në muajt e ardhshëm.

Deklaratat e Berishës erdhën në mbyllje të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u miratuan ndryshimet statutore dhe u hodhën bazat për riorganizimin e strukturave drejtuese të forcës më të madhe opozitare në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related