Protestat që prej më shumë se dhjetë ditësh po zhvillohen në Tiranë kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec kanë tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Radio France i ka kushtuar një analizë të gjerë lëvizjes qytetare, të cilën e cilëson si mobilizimin më të madh të pavarur në Shqipërinë bashkëkohore.
Në artikull, protesta përshkruhet si një lëvizje që ka tejkaluar tashmë kufijtë e mbrojtjes së mjedisit, duke u shndërruar në një reagim më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes dhe modelit të zhvillimit ekonomik të vendit.
Sipas ekspertit të Ballkanit Perëndimor, Miguel Roan, i intervistuar nga Radio France, ndryshimet ligjore të vitit 2024 krijuan hapësirën që projekti i lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner të mund të zhvillohej në një zonë të mbrojtur me rëndësi të veçantë ekologjike.
“Revolucioni i Flamingove”, siç është pagëzuar nga protestuesit, konsiderohet nga media franceze si një lëvizje qytetare jopartiake, e udhëhequr kryesisht nga të rinjtë, organizatat mjedisore dhe komunitetet lokale.
Analiza vëren se protestat nuk drejtohen vetëm kundër qeverisë, por shprehin gjithashtu pakënaqësi ndaj të gjithë klasës politike shqiptare. Sipas Roan, projekti në Zvërnec është bërë simbol i debateve mbi zhvillimin ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe menaxhimin e pasurive publike.
Eksperti thekson se modeli i zhvillimit të bazuar në turizmin masiv ka sjellë rritje ekonomike, por njëkohësisht ka nxitur betonizimin e bregdetit dhe kufizimin e aksesit të qytetarëve në disa zona natyrore.
Radio France e krahason rastin shqiptar me projektin e diskutueshëm të Jared Kushner në Beograd, duke argumentuar se Ballkani po shndërrohet në një destinacion tërheqës për investime të mëdha për shkak të kostove të ulëta dhe lidhjeve të forta mes interesave ekonomike dhe pushtetit politik.
Megjithatë, sipas analizës, pavarësisht rëndësisë simbolike dhe mobilizimit të gjerë, protestat nuk kanë arritur ende një nivel të tillë presioni sa të rrezikojnë seriozisht stabilitetin e qeverisë. Sipas ekspertit, sfida kryesore mbetet transformimi i energjisë qytetare në një forcë të organizuar që mund të ndikojë drejtpërdrejt në vendimmarrjen politike.
Artikulli përfundon me konstatimin se protestat aktuale po nxjerrin në pah hendekun në rritje mes klasës politike dhe shoqërisë civile në Ballkan, si dhe vështirësinë e kësaj të fundit për t’u organizuar në mbrojtje të interesit publik.
