Qindra qytetarë janë mbledhur këtë të premte në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke vijuar protestat kundër projektit të diskutueshëm në Zvërnec dhe duke shënuar ditën e gjashtë radhazi të mobilizimit qytetar.
Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ndërsa dëgjoheshin thirrje si “Revolucion” dhe “Shqipëria e shqiptarëve”. Organizatorët deklarojnë se lëvizja qytetare do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Përveç kundërshtimit të projektit në Zvërnec, protesta ka marrë tashmë një dimension më të gjerë politik dhe qytetar, duke përfshirë kërkesa që lidhen me ligjet për investimet strategjike, mbrojtjen e mjedisit dhe transparencën në vendimmarrjet qeveritare.
Një ditë më parë, protestuesit paraqitën pesë kërkesa kryesore drejtuar qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kabinetit qeveritar, shfuqizimin e statusit të investitorëve strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare.
Tubimi i sotëm po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie, ndërsa pritet që protestuesit të mblidhen përpara godinës së Kryeministrisë për të vijuar manifestimin e tyre kundër politikave që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.
