Debat i ashpër në Zvërnec, Rama pranon problemin e pronave: Janë grabitur, por zgjidhjen e jep gjykata

Data

Takimi i Kryeministrit Edi Rama me banorët e Zvërnecit është shoqëruar me debate të forta lidhur me çështjen e pronësisë së tokave ku pritet të zhvillohet projekti i diskutuar investues.

Një prej banorëve deklaroi se është pronar në zonë dhe se toka është përvetësuar përmes dokumenteve të falsifikuara, ndërsa theksoi se prej vitesh po ndjek rrugën gjyqësore për të fituar të drejtën e pronës.

Gjatë diskutimit, Rama pranoi se problemi i pronave në Shqipëri mbetet një plagë e hapur dhe se në shumë raste qytetarët pretendojnë se u janë marrë padrejtësisht tokat. Megjithatë, ai theksoi se zgjidhja nuk mund të vijë nga qeveria, por vetëm nga sistemi i drejtësisë.

“Kam një orë që po them se ky është problemi. Marrëdhëniet e pronësisë bazohen mbi dokumente. Nuk po them që nuk ka grabitje pronash, por këtë e zgjidh gjykata dhe jo kryeministri”, deklaroi Rama.

Banori ngriti shqetësimin se investitorët po avancojnë me planet e tyre ndërkohë që çështjet e pronësisë mbeten ende të pazgjidhura në gjykata. Ai paralajmëroi se nëse nuk gjendet një zgjidhje, pronarët do të kundërshtojnë në terren çdo ndërhyrje.

Debati u tensionua në disa momente, me kryeministrin që kërkoi të përfundonte argumentin e tij, duke theksuar se problemet e krijuara vite më parë nuk mund të zgjidhen me vendime politike, por përmes proceseve ligjore.

Takimi në Zvërnec vjen mes polemikave të forta për projektin e planifikuar në zonë dhe protestave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët kërkojnë transparencë të plotë për investimin dhe zgjidhje për çështjet e pronësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related