Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar pas protestës së opozitës, duke e cilësuar atë si një “zotim qytetar” për ndryshim politik në vend.
Në fjalën e mbajtur para mbështetësve në sheshin përpara Kryeministrisë, Berisha shprehu mirënjohje për pjesëmarrësit, duke i cilësuar si “zëri i ndërgjegjes së një kombi që nuk pajtohet me padrejtësinë”.
Ai theksoi se protesta nuk ishte thjesht një tubim, por një shprehje e zemërimit qytetar dhe një sinjal i qartë kundër asaj që e quan “diktaturë të drogës, krimit dhe vjedhjes”.
“Revolta e djeshme ishte një zotim qytetar se, ashtu siç përmbysëm komunizmin 34 vite më parë, do të përmbysim edhe këtë regjim,” deklaroi Berisha.
Sipas tij, Partia Demokratike mbetet e vendosur për të vijuar protestat, duke i konsideruar ato si rruga e vetme për të sjellë ndryshim politik në Shqipëri.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të reflektojnë për situatën në vend dhe të angazhohen më shumë, duke theksuar se vendi ndodhet në një moment kritik që kërkon reagim dhe mobilizim të gjerë shoqëror.
