Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një seri mesazhesh që, sipas tij, janë marrë nga bisedat e Grupit Koordinues të protestave qytetare që prej më shumë se një muaji zhvillohen në Tiranë.
Në postimin e tij në Facebook, Rama pretendon se mesazhet i janë dërguar nga një person që e identifikon si ish-pjesëmarrës në grupet e organizimit të protestës. Krahas tyre, ai ka publikuar edhe një mesazh personal, në të cilin autori i kërkon të mos japë dorëheqjen, duke e cilësuar atë si “e keqja më e vogël”.
Sipas materialit të publikuar nga kryeministri, në bisedat e grupit diskutohen disa nga objektivat dhe hapat organizativë të protestës, mes të cilëve:
- Dorëheqja e kryeministrit si kërkesë kryesore dhe e panegociueshme.
- Krijimi i një qeverie teknike përpara zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, me argumentin se kjo do t’u jepte kohë forcave të reja politike të organizoheshin.
- Informimi zyrtar i Presidentit të Republikës dhe përfaqësive diplomatike të SHBA-së dhe Bashkimit Evropian mbi kërkesat e protestës.
- Nisja e procedurave ligjore për ndryshime kushtetuese dhe të ligjit për referendumet përmes institucioneve përkatëse.
- Regjistrimi i popullsisë si pjesë e përgatitjeve për zgjedhje të reja.
Duke komentuar përmbajtjen e këtyre mesazheve, Rama ironizoi organizatorët e protestës, duke shkruar se diskutimet tregojnë, sipas tij, “nivelin e udhëheqjeve imagjinare të ‘Shqipërisë së re’”.
Autenticiteti i mesazheve të publikuara nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur dhe deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga përfaqësuesit e grupit koordinues të protestës lidhur me publikimin e tyre.
