Kryeministri Edi Rama është vendosur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare pas nismës së qeverisë për të ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, me qëllim ndalimin e pezullimit nga detyra të ministrave që janë nën hetim penal.
Sipas raportimit, qeveria shqiptare synon të mbrojë anëtarët e kabinetit nga pezullimi gjatë hetimeve, një lëvizje që opozita e konsideron si përpjekje për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të krijuar mburojë politike për kryeministrin.
Debati është intensifikuar pas pezullimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata e Posaçme, pas hetimeve të nisura nga SPAK për ndërhyrje të dyshuar në tenderë infrastrukture, akuza që ajo i ka mohuar.
Çështja ka krijuar përplasje mes qeverisë dhe strukturave të drejtësisë, ndërsa SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit për të mundësuar arrestimin e saj. Rama ka argumentuar se pezullimi i një ministri cenon funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe përbën tejkalim kompetencash nga ana e gjyqësorit.
Në raport theksohet se Shqipëria synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, por Brukseli kërkon përparim të mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas analizës, çdo lëvizje që perceptohet si kufizim i pavarësisë së drejtësisë mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit europian.
Mazhoranca socialiste, që zotëron shumicë të fortë në Kuvend, pritet të çojë përpara ndryshimet ligjore, ndërsa opozita i ka cilësuar ato si përpjekje për të garantuar pandëshkueshmëri në nivelet më të larta të qeverisë.
