Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e Erion Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me masa më të lehta, duke vendosur vijimin e qëndrimit të tij në qeli.
Në përfundim të seancës, avokati i Veliajt u shpreh se klienti i tij ishte i pranishëm në sallë dhe ka folur pa dalë përtej kërkesave ligjore të parashtruara në kërkesën zyrtare drejtuar gjykatës.
Sipas mbrojtjes, Prokuroria e Posaçme ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke insistuar në vijimin e masës “arrest me burg”, me argumentin se ekziston rreziku i manipulimit të provave. Avokati i Veliajt i cilësoi këto pretendime si të pabazuara, duke i quajtur “iluzione të Prokurorisë”.
“Kemi kërkuar caktimin e një mase më të butë sigurie, por gjykata i rrëzoi të gjitha kërkesat. Veliaj nuk ka deklaruar asgjë përtej asaj që është parashtruar në kërkesë. Prokuroria mbajti qëndrimin se masa duhet të vazhdojë, duke pretenduar se provat mund të manipulohen, edhe pse hetimet kanë përfunduar. Ne nuk jemi dakord me këtë logjikë,” u shpreh avokati pas seancës.
Ai bëri me dije se mbrojtja kishte ofruar edhe alternativa konkrete, përfshirë garanci pasurore, detyrim për paraqitje deri në pesë herë në javë, si dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, masa që sipas tij do të garantonin mbarëvajtjen e procesit.
“U kërkua garanci pasurore, detyrim paraqitje pesë herë në javë dhe masa të tjera të përshtatshme për hetimet. Nuk u propozua një shumë konkrete, duke ia lënë vlerësimin gjykatës, por meqenëse kërkesa u rrëzua në tërësi, këto opsione nuk u shqyrtuan,” shtoi avokati.
Vendimi i gjykatës lë në fuqi masën aktuale të sigurisë, ndërsa mbrojtja pritet të vijojë ndjekjen e rrugëve të tjera ligjore.
