Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka ngritur shqetësimin se retorika publike, veçanërisht ajo me ngarkesë politike, mund të ndikojë në rritjen e rrezikut ndaj institucionit që ai drejton.
Gjatë raportimit në KLP, Braho theksoi se edhe kur nuk është drejtpërdrejt problematike, një gjuhë e tillë mund të shërbejë si nxitje për rritjen e agresivitetit nga krimi i organizuar ndaj SPAK.
Ai ndaloi gjithashtu te problematika e burimeve njerëzore, duke theksuar mungesën e këshilltarëve ligjorë për prokurorët. Sipas tij, aktualisht vetëm drejtuesit kanë të tillë, ndërsa prokurorët e tjerë duhet të përballojnë vetë ngarkesën e punës.
Braho kërkoi ndërhyrje ligjore për të krijuar mundësi që çdo prokuror të ketë këshilltarin e tij ligjor, duke argumentuar se kjo do të ndikonte në rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit në hetime.
“Duhet të hapen hapësira ligjore dhe më pas të fokusohemi te cilësia dhe profesionalizmi”, u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për përforcimin e kapaciteteve të institucionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
