Reperi dhe producenti amerikan i muzikës, Diddy, ka paraqitur një apel të ri në gjykatë, duke kërkuar përmbysjen e dënimit me 50 muaj burg ose lirimin e menjëhershëm, ndërsa njëkohësisht ka hedhur akuza të forta ndaj gjyqtarit që shqyrtoi çështjen e tij.
Ekipi ligjor i artistit depozitoi apelin të martën, më 23 dhjetor, duke argumentuar se procesi i dënimit ka qenë i padrejtë dhe se gjyqtari Arun Subramanian ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore. Sipas avokatëve, gjyqtari ka vepruar si “anëtar i trembëdhjetë i jurisë”, duke ndikuar drejtpërdrejt në masën e dënimit.
Avokatja kryesore e mbrojtjes, Alexandra Shapiro, thekson në dokumentet e apelit se dënimi prej 50 muajsh është bazuar edhe në akuza për të cilat Diddy është shpallur i pafajshëm nga juria, përfshirë organizatë kriminale dhe trafikim të qenieve njerëzore. Sipas saj, marrja në konsideratë e këtyre akuzave përbën shkelje të të drejtave kushtetuese të të pandehurit.
Mbrojtja këmbëngul se dënimi duhet të lidhet vetëm me dy akuzat e Aktit Mann, që kanë të bëjnë me transportimin e personave për qëllime prostitucioni, për të cilat ai është shpallur fajtor. Në apelet e mëparshme, avokatët kanë argumentuar gjithashtu se Diddy nuk ka organizuar udhëtimet dhe nuk ka kryer pagesa për prostitutat, duke vënë në dyshim zbatimin e ligjit në rastin konkret.
Prokurorët federalë pritet të paraqesin përgjigjen e tyre në muajt në vijim, përpara se çështja të shqyrtohet nga gjykata e apelit.
