Moti i keq që goditi rajonin e Atikës në Greqi ka lënë pas pamje dramatike dhe panik mes banorëve. Rrugë të tëra u shndërruan në lumenj, bodrume dhe hyrje pallatesh u përmbytën, ndërsa ndërprerjet e energjisë elektrike dhe dhjetëra thirrje për ndihmë drejt zjarrfikësve shënuan pasojat e para të reshjeve intensive.
Zona më e prekur ishte periferia jugore e Atikës, me Alimosin në epiqendër të stuhisë. Rrebeshët e fuqishëm shndërruan disa rrugë në përrenj të rrëmbyeshëm, ndërsa në rrugën Lysikratous, sasia e madhe e ujit mbuloi plotësisht asfaltin, duke shembur gardhin e një pallati dhe duke përmbytur hyrjen e ndërtesës.
Pamjet e përmbytjeve u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, ku shihet qartë se rrjedha e ujit nuk kurseu as automjetet e parkuara, të cilat u zhvendosën dhe “notuan” mbi trotuare.
Sipas dëshmive të banorëve, pak pas orës 18:00 të së mërkurës, niveli i ujit arriti deri në 1.5 metra dhe brenda vetëm disa minutash përmbyti oborre, hyrje pallatesh dhe ambiente të brendshme. Uji depërtoi edhe në ashensorë, duke i nxjerrë jashtë funksionit dhe duke shkaktuar dëme në sistemet elektrike.
“Fillimisht shiu ishte i lehtë, por papritur u kthye në stuhi. Kanalizimet u mbushën dhe brenda 5–7 minutash uji u rrit në mbi 1.5 metra. Rrëzoi gardhin dhe përmbyti gjithçka përreth”, tregojnë banorët e zonës.
Skena paniku u regjistruan edhe në rrugë, ku drejtues mjetesh u përpoqën të largoheshin nga automjetet për t’i shpëtuar rrjedhës së ujit, ndërsa makinat e parkuara u bartën nga rryma. Për fat të mirë, autoritetet konfirmojnë se nuk ka persona të lënduar.
Mëngjesi i Krishtlindjeve i gjeti shumë banorë me fshesa në duar, duke pastruar baltën dhe ujin nga hyrjet e pallateve, ashensorët dhe ambientet e përbashkëta, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën për normalizimin e situatës.
