Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me protestën e opozitës, duke e cilësuar atë si shenjë të një regjimi të korruptuar që ka humbur kontrollin.
Sipas Bardhit, reagimi i Ramës ndaj protestuesve ishte tipik për regjime që nuk përballen dot me qytetarët, por përdorin dhunën shtetërore për të mbuluar skandalet dhe dështimet e tyre.
“Askund në Europë kryeministri nuk mbron korrupsionin. Edi Rama reagoi ndaj protestuesve si çdo regjim i kalbur: me gaz lotsjellës të skaduar, ujë me piper dhe dhunë shtetërore. Ky është reagimi i një kryeministri të skaduar,” u shpreh Bardhi.
Ai theksoi se në vendet demokratike europiane, një kryeministër i përfshirë në skandale jep llogari dhe largohet, nuk kriminalizon opozitën dhe nuk përdor policinë kundër qytetarëve.
Bardhi akuzoi Ramën se është shndërruar në avokat të korrupsionit, duke mbrojtur hapur zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa sipas tij sulmon drejtësinë sa herë që ajo prek njerëzit e tij të afërt.
“Askund në Europë nuk sulmohet drejtësia për të mbrojtur korrupsionin e familjes dhe bashkëpunëtorëve. Askund Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk emërohet nga koordinatori i krimit të qeverisë,” deklaroi Bardhi, duke iu referuar rastit të Ergys Agasit.
Në përfundim, Bardhi u shpreh se dhuna ndaj protestuesve dhe gjuha përçmuese ndaj qytetarëve janë dëshmi e qartë se qeveria Rama ka humbur legjitimitetin politik dhe moral.
“Vetëm regjimet e kalbura reagojnë me dhunë ndaj protestave qytetare,” përfundoi ai.
