Kryeministri Edi Rama ka rikthyer në vëmendje ngjarjen e 21 janarit 2011, duke e cilësuar hapur si krim shtetëror dhe duke i bërë thirrje Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) që të veprojë për zbardhjen e plotë të çështjes.
Në podcastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se 21 janari mbetet një plagë e hapur jo vetëm për familjarët e katër protestuesve të vrarë, por edhe për moralin dhe themelet e drejtësisë në Shqipëri. Sipas tij, edhe pas 15 vitesh, hija e padrejtësisë vazhdon të rëndojë mbi këtë ngjarje.
Kreu i qeverisë theksoi se drejtësia mund të vonojë, por nuk harron, dhe se koha nuk mund ta fshijë nga kujtesa e shoqërisë një krim të tillë të kryer me armët e shtetit.
Rama u shpreh se SPAK, i cili prej gjashtë vitesh gëzon mbështetje të plotë për të vendosur barazinë para ligjit, duhet të veprojë dhe të marrë përgjegjësinë që i takon për këtë çështje, të cilën ai e cilësoi si njollë për drejtësinë shqiptare.
“21 janari është një nga ato krime për të cilat drejtësia vonon, por kurrë nuk harron. Koha nuk i zhbën dot nga kujtesa dhe nga tryeza e njerëzve të drejtësisë. Uroj që SPAK-u të zgjohet dhe të bëjë më në fund punën e vet mbi këtë krim shtetëror”, u shpreh Rama.
Deklarata vjen në një moment tensioni të lartë politik, ku ngjarja e 21 janarit vazhdon të përdoret si simbol i përplasjes mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.
