Prej minutave të para pas mesnatës, mes 21 dhe 22 korrikut 2016, ajo që ka ngelur e pashlyer në mendje është një puthje. Fotografët dhe kameramanët që i rezistuan orëve të gjata pa gjumë arritën më në fund të kenë edhe ata “gralin” e tyre.
Personazhet që ata fiksuan, të rënë në krahët e njëri-tjetrit, më shumë të lumtur se sa të lodhur nga orë të gjata negociatash, qenë dy ambasadorë. Njëri, Donald Lu, përfaqësues i Shteteve të Bashkuara, ndërsa tjetra, Romana Vllahutin, e zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë. Të dy i gëzoheshin një votimi konsensual, të padëgjuar më parë, në sallën e parlamentit shqiptar.
Të 140 të zgjedhurit e popullit, disa pas presioneve të marra drejtpërdrejt në selitë diplomatike perendimore në Tiranë, votuan ndryshimet kushtetuese për një reformë radikale të sistemit të drejtësisë. Të dy triumfatorët e këtij kalvari të gjatë patën propoganduar prej kohësh se kjo ishte mënyra e vetme që vendi ti jepte fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lartë, të zhytur shpesh në korrupsion dhe për t’i hapur rrugën një afrimi më të shpejtë me BE.
Sot, tetë vite më pas edhe ambasadori Lu edhe homologja e tij Vlahutin janë larguar nga ky vend, pa asnjë përgjegjësi të vetme për atë që kanë lënë pas. Rreth gjysma e 800 Prokurorëve dhe Gjyqtarëve janë përjashtuar nga sistemi si të papërshtatshëm për drejtësinë e re.
